Itali/ Presidenti nis konsultimet: Ose qeveri e re ose vendi shkon në zgjedhje të parakohshme

21/08/2019 12:41

Kryeministri Italian Giuseppe Conte, dha dorëheqjen të martën, duke i dhënë fund qeverisjes 14 mujore të populistëve.

Ai ia paraqiti më pas dorëheqjen presidentit të republikës, Sergio Mattarella, i cili sot, fillon konsultimet me partitë politike.

“Presidenti i republikës, Sergio Mattarella, priti sot kryeministrin Konte, presidenti pranoi dorëheqjen dhe ftoi qeverinë të vazhdojë të kujdeset për vendin. Konsultimet nisin të mërkurën dhe agjenda do të prezantohet shpejt”, shprehet Ugo Zampetti, sekretar i përgjithshëm i Presidencës.

Dy javë më parë, ministri i Brendshëm Italian Matteo Salvini bëri njoftimin e papritur se Lega e tij ekstremiste e djathtë nuk do të vazhdojë të qëndrojë më në aleancë me Lëvizjen Pesë Yjet, dhe kërkoi mocion mosbesimi e zgjedhje të reja.

Në senat, konte e kritikoi Salvinin, duke e quajtur të papërgjegjshëm por ky i fundit, e kishte një përgjigje për të.

“Fjalimi i kryeministrit ishte i mbushur me fyerje për një forcë politike që përfaqëson miliona italianë. Unë nuk mohoj asgjë nga ato që kam bërë. Do të bëja sërish të njëjtën gjë dhe nuk do të mund të fyeja ata që deri dje ishin kolegët e mi në qeveri. Njerëz të tjerë, veprojnë ndryshe. Nëse kryeministri ka menduar se unë isha një idiot, prej muajsh, unë isha zëvendësi i tij. Gjithçka duhet të bënte, ishte të ma thoshte…unë nuk do të isha fyer”, shprehet Salvini.

Por çfarë mund të ndodhë tani? Presidenti Mattarela mund të mos e pranojë dorëheqjen, dhe t’i kërkojë Conte-s të qëndrojë në post, duke u përpjekur që të gjejë një alternativë për të marrë shumicën në parlament. Ai mund ta pranojë dorëheqjen dhe të kërkojë një kryeministër tjetër, i cili mund të formojë një koalicion të ri. Nëse këto opsione nuk janë të mundshme, parlamenti mund të shpërbëhet duke kërkuar zgjedhje të reja në tetor.

Top Channel