Pelegrinazhi në malin e Tomorrit, Policia në shërbim 24 orësh pasi fluksi i vizitorëve është i madh

20/08/2019 19:52

Prej dy ditësh në malin e shenjtë të Tomorrit ka nisur peligrinazhi i përvitshëm i besimtareve bektashinj, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia. Ata kremtojnë në teqenë e kulmakut festën në nder të Abz Aliut. Por pelegrinët si çdo vit ankohen për rrugën që të çon në Teqenë e Kulmakut.

Ajo është në gjendje të rrënuar dhe nuk ka patur  asnjë ndërhyrje prej shumë kohësh, ndërsa ditët e pelegrinazhit e vështirësojnë ngjitjen në Tomorr për shkak të numrit të madh të makinave.

Ndërkaq, Policia e Beratit ka vendosur patrulla përgjatë dy akseve rrugore që të çojnë në vendin e shenjtë për të përballuar fluksin e lëvizjeve gjatë këtyre ditëve.

Shefi i Qarkullimit rrugor për qarkun e Beratit, Ali Yzeiri thotë se forca të shumta policore janë vendosur në të gjithë territorin ku zhvillohet aktiviteti i pelegrinazhit, ku patrullimet do vazhdojnë përgjatë 24 orëve deri në 25 gusht.

Peligrinazhi i përvitshëm në malin e Tomorrit zhvillohet gjatë periudhës 18-25 Gusht dhe çdo vit kjo festë e beshtashinjve regjistron rreth 100 mijë persona nga vendi dhe bota, që vizitojnë Teqenë e Abaz Aliut, ku kryejne ritet fetare  siç është edhe kurbani në nderim të tij.

Top Channel