Në Zyrën Vendore Arsimore Tiranë ka shumë punë këto ditë gushti. Kryesisht janë njerëz që presin të kryejnë procedurat për fëmijët që janë rikthyer në atdhe pas emigrimit apo azilit, apo që duan t’i çojnë fëmijët e tyre të mësojnë jashtë.

Me ristrukturimin kjo Zyrë Vendore Arsimore mbulon gjithë institucionet arsimore të bashkisë së Tiranës, nga klasa e parë deri në të 12-n.

“Të gjitha institucionet arsimore nisin mësimin në 16 shtator, duke filluar nga arsimi bazë, gjimnazi, dhe arsimi profesional. Gjatë dy javëve të qershorit është bërë një regjistrim paraprak  dhe rezulton që për këtë vit në Bashkinë e Tiranës janë rreth 7000 fëmijë, që shkojnë në klasën e parë dhe rreth 5500 nxënës që shkojnë në shkollë të mesme. Në datën 1 shtator bëhet regjistrimi përfundimtar si për klasat e para edhe për të mesmet,” shpjegon Aida Hajdaraj, Specialiste e Kurikulës, ZVA, Tiranë.

Pranë çdo institucioni arsimor janë ngritur komisionet e regjistrimit të nxënësve.

“Për fëmijët që regjistrohen në klasën e parë duhen: vërtetimi i vaksinimeve, vërtetimi i okulistit, vërtetimi i ndjekjes së parashkollorit, nëse fëmija ka ndjekur parashkollorin, vërtetimin e vendbanimit dhe certifikatë personale,” tha Hajdaraj.

Ndërsa për nxënësit që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së mesme duhen këto dokumente.

“Për nxënësit që regjistrohen në klasën e 10-të: dëftesen e lirimit, certifikatë personale, vërtetim vendbanimi, formularin e plotësuar për lëndën me zgjedhje, nëse nuk e kanë plotësuar më parë.”

Ka prindër që do të donin t’i regjistronin fëmijët e tyre në një shkollë tjetër, jo të zonës.

“Janë 10 ditë regjistrimesh, në 6 ditë do të regjistrohen fëmijët e zonës, ndërsa nëse ka vende të lira do të regjistrohen edhe nga zona të tjera,” deklaroi specialistja e kurikulës.

Të gjendur para faktit që ka edhe fëmijë që kthehen nga jashtë, specialistja bën këtë sqarim.

“ Është detyrë që për arsimin e detyruar, pra deri në klasën e 9-të, ai fëmijë të integrohet në sistemin arsimor. Që do të thotë që nëse vjen ditën e fundit të shkollës, ai regjistrohet menjëherë.

 

 

Top Channel