Anija iraniane e bllokuar në Gjibraltar, që nga korriku, me dyshimin se transportonte naftë në Siri, është larguar tashmë nga porti.

Të dhënat tregojnë se cisterna lëvizi në lindje në Mesdhe dhe destinacion kishte Kalamatën në Greqi. Gjibraltari më parë refuzoi një kërkesë të SHBA për të ndaluar anijen, e cila ka ndryshuar emrin e saj nga Grace 1 në Adrian Darya-1. SHBA-ja e bëri kërkesën të premten, një ditë pasi Gjibraltari shfuqizoi urdhrin e ndalimit.

Gjibraltari tha se nuk mund të zbatonte kërkesën e Washington-it për lëshimin e një urdhri të ri ndalimi, sepse sanksionet e SHBA-së kundër Iranit nuk zbatoheshin në BE. Anija me ekuipazhin e saj prej 29 personash nga India, Rusia, Letonia dhe Filipinet u konfiskua me ndihmën e marinsave britanikë më 4 korrik, pasi qeveria e Gjibraltarit, një territor britanik, sugjeroi se ajo po shkonte për në Siri, duke shkelur kështu sanksionet e BE-së.

Masa ndezi një krizë diplomatike midis Britanisë së Madhe dhe Iranit, e cila është përshkallëzuar gjatë javëve të fundit. Irani më pas konfiskoi një cisternë nafte me flamur britanik dhe me pronësi suedeze. Irani thotë se ka konfiskuar një anije ndërkombëtare në Gjirin Persik

Autoritetet e Gjibraltarit e liruan anijen të enjten, pasi morën garanci nga Irani, se nuk do të shkarkonte ngarkesat e saj në Siri. Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së më pas paraqiti një kërkesë për ndalimin e anijes me arsyetimin se kishte lidhje me Gardën Revolucionare të Iranit, të cilën e ka shpallur grup terrorist.

 

Top Channel