Prokurorja Speciale në Maqedoninë e Veriut, Katica Janeva, do të dëshmojë nesër për rastin “Zhvatja” pasi zëri i saj u dëgjua në bisedat e publikuara mes Bojan Jovanovskit, që njihet me emrin Boki 13 dhe Orce Kamcev.

Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion ka konfirmuar se ka thirrur për të dhënë dëshminë e saj Prokuroren Speciale të dorëhequr Katica Janeva, të martën, në ora 10.00.

Rasti “zhvatja” tronditi Maqedoninë e Veriut pasi bëhet fjalë për një skandal korrupsioni prej qindra e mijëra eurosh.

Ishte gazeta italiane, “La Verita” ajo që publikoi regjistrime audio dhe video rreth skandalit ku shihej biznesmeni Kamcev, nën hetim në Shkup për larje parash dhe vepra të tjera në rastin gjyqësor ‘Perandoria’ që e proceson Prokuroria e posaçme, bashkë me Bojan Jovanovskin dhe Zoran Milevskin duke numëruar shuma të mëdha parash dhe duke dalë me valixhe në të cilat mendohet se kishte një milion Euro për ta blerë kështu lirinë e tij nga paraburgimi.

Në regjistrimet audio dëgjohej edhe zëri i Prokurores së Posaçme, Katica Janeva, që premtonte lehtësira.

Top Channel