Drejtimi i Shkodrës me nënkryetar/ Flasin qytetarët dhe ekspertët e pushtetit vendor, PD proteston të hënën

17/08/2019 20:10

Dorëheqja e Valdrin Pjetrit nga posti i kryetarit të bashkisë së Shkodrës, ka krijuar një situatë të vështirë politike në këtë qytet.

Prefekti Çesk Millja ka njoftuar se ditën e hënë në ambientet e universitetit “Luigj Gurakuqi” do të zhvillohet mbledhja për konstituimin e këshillit bashkiak të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.

Pas betimit, keshilltarët do të votojnë për të zgjedhur nënkryetarin aktual, që do të drejtojë bashkinë e Shkodrës, derisa të zhvillohen zgjedhjet e reja për pasardhësin e Voltana Ademit. Por çfarë mendojnë qytetarët shkodranë për këtë situatë të krijuar?

“Situata politike është pak e ndërlikuar dhe këto ndryshime kur bëhen, bëhen për arsye se ka difekt dhe për të kaluar te përmirësimi, te më e mira. Ndaj bëhen këto zhvillime”, shprehet dikush.

“Në Shkodër nuk është as normale as jo normale, është në gjithë Shqipërinë e njëta situatë. Për mendimin tim nuk ka pse të mblidhet këshilli, është paradoksi më i madh që thonë duhet të zgjidhen nënkryetarët, po ata nënkryetarët duhet të jenë zëvendës të një kryetari”, thotë një tjetër qytetar.

Eksperti i Qeverisjes Vendore, Fatlum Nurja, thotë se në këto kushte, ligji parashikon qartë që këshilltarët e rinj do të votojnë për të zgjedhur një nga nënkryetarët aktualë të bashkisë. Pra, Shkodra do të drejtohet nga një prej të besuarve të Voltana Ademit deri në momentin që të bëhen zgjedhjet e reja.

Ndërkohë ditën e hënë, përpara rektoratit te universitetit “Luigj Gurakuqi” ku do të zhvillohet  mbledhja për konstituimin e këshillit të ri, Partia Demokratike e Shkodrës, ka paralajmëruar një protestë , sipas tyre, për të mos lejuar kapjen e qytetit nga banda dhe krimi.

Top Channel