Aktivistja e klimës niset drejt SHBA-së me jaht ekologjik

15/08/2019 06:46

Një vit pasi nisi një grevë shkollore që e bëri atë të njohur në të gjithë botën për luftën kundër ngrohjes globale, Greta Thunberg beson se mesazhi i saj i pakompromentueshëm, po përcillet ngado edhe pse reagimi mbetet i vakët në terren.

16 vjeçarja suedeze, është nisur tani në një lundrim drejt New York-ut, për të përcjellë edhe atje kërkesën e saj për veprim mbi klimën, në Amerikën e Veriut.

Që kur pushtoi faqet e para të gazetave, vitin e shkuar, pasi bojkotoi mësimin në shenjë proteste para parlamentit suedez, gushtin e kaluar, Thunberg është takuar me liderë politikë dhe të biznesit në të gjithë Evropën.

Ajo tani i është drejtuar Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në një samit për klimën në New York, që do të mbahet në shtator dhe për shkak se ajo refuzon të fluturojë me avion, udhëtimin e ka ndërmarrë me një jaht garash ekologjik.

Malizia II drejtohet nga Pierre Kasiraghi, pjesëtar i familjes mbretërore të Monakos dhe lundërtari gjerman, Boris Herrmann. Në këtë jaht, kanë vetëm gjërat thelbësore.

Ka një tualet, nuk ka kuzhinë, por ai është i pajisur me panele diellore dhe turbina nënujore që e lejojnë të veprojë pa prodhuar emetime karboni. Thunberg, që nuk ka lundruar kurrë më parë, do të jetë në bord për dy javë, bashkë me të atin dhe një producent filmash.

Top Channel