Shiu dhe era do të mbizotërojnë pjesën e dytë të kësaj të mërkure, pasi arritëm të dielën dhe të hënën ditët më të nxehta të verës, 41.6 gradë celcius. Dhe kjo luhatje e motit, do të rikthejë gjatë javës temperaturat tipike të muajit gusht.

“Shirat do të fillojnë si fillim në zonat veri-veri perëndimore dhe gradualisht do të përfshijnë dhe zonat qëndrore. Reshjet do të jenë kryesisht në formë rrebeshesh të shoqëruara gjatë pasditeve dhe në mbrëmje me një fortësim të ndjeshëm të parametrit erë. Sot dhe nesër presim që të kemi një erë të fortë sidomos në bregdet dhe det të trazuar”, thotë metereologe Lajda Porja.

Shiu do të pushojë të nesërmen por vlerat termike do të vazhdojnë të jenë të ulëta. Rënia e temperaturave  do të mbyllin këtë javë, ku mëngjeset dhe mbrëmjet do të jenë të freskëta pas disa netëve tropikale që kaluam fundjavën që lamë pas.

“Për sa i përket vlerave maksimale parashikohet  të zbresin me 4 gradë dhe e gjithë java do të jetë jo më shumë se 32 apo 33 gradë celcius. Ndërsa në zonat malore pritet të zbresin në vlerat 9-10 gradë. Pra goxha freskët”, thotë Porja.

Ndonëse vala e të nxehtit afrikan do të dominojë sërish 10 ditëshin e fundit të gushtit. Megjithatë, ky konsiderohet muaji më i favorshëm për pushimet e shqiptarëve.

“Ne presim sërish pas datës 20 masa ajrore që do të vijnë nga veriu i Afrikës. Parashikohet që të ketë sërish rritje të temperaturave, jo të vlerave të cilat sapo kaluam. Vlerat do të luhaten 32 deri në 37 gradë”, sqaron Porja.

Top Channel