Qeveria e futbollit europian ka zbritur sërish në skenë për të ndëshkuar episodet e racizmit, duke vazhduar linjën e ashpër kundër këtij fenomeni negativ, që ka shumë klube dhe tifozeri përsëritëse.

Një i tillë është Partizani i Beogradit. Skuadra ikonë e futbollit serb do të vuajë sanksionet e UEFA-s së bashku me Lokomotivën e Plovdivit, ekip bullgar që është gjetur fajtor për sjelljen jo sportive të mbështetësve të saj.

Ekipi i Partizanit do të luajë dy ndeshjet e radhës në garën e UEFA-s me dyer të mbyllura, për shkak të koreve diskriminuese të mbështetësve të tij në ndeshjen me klubin turk Malatyaspor. Këtë ndeshje ekipi serb e ka fituar me rezultatin 3:1.

Ndërkohë Lokomotiv Plovdiv do të ketë një mbyllje të pjesshme të stadiumit për ndeshjen e radhës, për shkak të sjelljeve raciste që tifozët bullgarë patën ndaj lojtarëve francezë të Strasburgut, dhe tifozëve miq. Ballkanasit humbën 1-0 dhe përveç disfatës, do të duhet të llogarisin dhe një gjobë të majme, ndërsa në fushë do të zbresin me një sllogan të UEFA-s kundër racizmit.

Top Channel