Kryebashkiaku i ri i Shkodrës Valdrin Pjetri, reagoi ndaj mbështësve të opozitës të cilët sot në mëngjes kishin shpërndarë në të gjithë qytetin fletushka me mbishkrimin“Narko-Valdrini jashtë Bashkisë”.

Pjetri i konsideron trakte fletëpalosjet e shpërndara dhe përmes një postimi në facebook thotë se kjo është organizuar nga 4-5 persona që nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve.

Postimin Kryebashkiaku i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit e mbyll me shprehjen popullore që edhe kryeministri Rama e përdor shpesh, “qentë le të lehin, karvani ecën perpara”.

 

Postimi i Valdin Pjetrit në facebook:

Traktet e shpërndara natën nëpër Shkodër, organizuar nga 4-5 persona, nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve shkodranë dhe as interesat e demokratëve të ndershëm shkodranë.

Thjesht duan të largojnë vëmendjen nga abuzimet shumë vjeçare të bëra në Bashkinë Shkodër, dhe nuk e ndryshojnë dot faktin se pas një jave ky abuzim do përfundojë njëherë e mirë.

Valdrin Pjetri nuk është e keqja e Shkodrës. Nuk është ai që ka abuzuar dhe ka shpërdoruar pafund fonde publike. Valdrin Pjetri nuk është shkaktar i gjendjes së mjerueshme, ku gjendet qyteti i Shkodrës sot.

Në pak muaj të gjithë banorët e Shkodrës do shikojnë realitetin ndryshe, të një qyteti që do administrohet dhe menaxhohet me përkushtim dhe devotshmëri.

Qentë le të lehin, karvani ecën perpara.

Ditë më të mira do vijnë për Shkodrën dhe banorët e saj.

Top Channel