Salvini po rrëzon Qeverinë, lideri i Lidhjes së Veriut ka nisur fushatën në Itali

12/08/2019 12:22

Lideri i Lidhjes së Veriut dhe zëvendëskryeministri Mateo Salvini ka nisur një fushatë elektorale, jo zyrtare për zgjedhjet e parakohshme, nga plazhi. Parlamenti është i mbyllur për pushimet e verës dhe qeveria është në krizë. Salvini kërkoi të enjten zgjedhje të parakohshme dhe tërhoqi mbështetjen e partisë së tij për koalicionin qeverisës. Të premten Liga paraqiti një mocion mosbesimi për rrëzimin e qeverisë që ka krijuar me lëvizjen anti establishment, 5 yjet.

Salvini shpreson që lëvizja do të çojë në zgjedhje të reja në tetor dhe ta instalojë atë si lider të ri të Italisë. Por ish-aleatët e tij në Lëvizjen Pesë Yjet po tentojnë, bashkë me opozitën e qendrës së majtë ta pengojnë këtë, dhe kryeministri Giusepe Conte i ka kërkuar Salvinit të justifikojë vendimin e tij për të shkaktuar krizë.

Zgjedhjet e parakohshme do të pengonin Italinë të finalizonte draftin e parë të buxhetit që duhet t’i paraqitet autoriteteve të BE në fund të shtatorit. Presidenti Mattarella, që ka vetëm pushtetin për të shkrirë Parlamentin, po insiston se buxheti duhet finalizuar dhe me këtë qëllim ai mund të emërojë një qeveri teknokratësh dhe t’i shtyjë zgjedhjet në shkurt apo mars, edhe pse kjo nuk është fort e pëlqyer mes italianëve.

Edhe ish lideri i Partisë Demokratike, Matteo Renzi, që ende ka ndikim, tha se kthimi në zgjedhje kur qeveria duhet të nisë përgatitjet për buxhetin e 2020, do të ishte një çmenduri. Por, agjencia italiane e lajmeve AIG ka raportuar se senati mund të mblidhet më 2 gusht, për të shkrirë Parlamentin në ditët në vijim. Sipas kushtetutës italiane, zgjedhjet e reja duhet të mbahen pas jo më shumë se 70 ditësh.

Top Channel