Kreta është tronditur mëngjesin e së hënës pasi një tërmet i fuqishëm 4,8 rihter është regjistruar në zonën detare midis këtij ishulli dhe Santorinit.

Epiqendra e tij ka qenë 67 km në verilindje të qytetit Iraklio, ndërsa thellësia vlerësohet në 55.2 km.

Tërmeti nuk ka vazhduar për shumë sekonda, por është shoqëruar me zhurmën karakteristike. Ai është ndjerë në gjithë pjesën lindore të Kretës, por pavarësisht se ka qenë i fuqishëm nuk ka referime për dëme materiale.

Është tërmeti i dytë brenda 24 orëve që regjistrohet në Kretë , pas lëkundjeve të djeshme me fuqi 4.5 ballë shkalla rihter në pjesën jugore të ishullit.

Sipas profesorit të Gjeologjisë Efthimis Lekas nuk vlerësohet se do të ketë lëkundje të tjera të fuqishme, ndërsa ai ka theksuar gjithashtu se tërmeti i sotëm nuk ka asnjë lidhje me tërmetet qe u regjistruan në ditët e mëparshme në Kretë.

Top Channel