Mëngjesi i kësaj të hënë është shoqëruar me një fluks të jashtëzakonshëm automjetesh që po hyjnë në Shqipëri.

Pamjet që vijnë nga pika e kalimit kufitar të Morinit tregojnë një dyndje të vërtetë të automjeteve. Pothuajse të gjithë janë pushues që po udhëtojnë drejt plazheve të Shqipërisë. Nga ora tre e mëngjesit kanë hyrë 22 mijë persona me 4 mijë mjete.

Numri u rrit, ndërsa policia ka punuar me procedurë të përshpejtuar. Lëvizja e mjeteve ka hasur vështirësi në urën mbi lumin Drin në hyrje të qytetit të Kukësit, për shkak se rruga aty ngushtohet. Policia ndihmoi lëvizjen e mjeteve. Trafiku i rënduar ka zbritur në këto momente në dalje te qytetit të Vlorës.

Nga zona e skelës deri në zonën e ujit të ftohtë mjetet për të lëvizur kanë kaluar mbi një orë në pritje. Trafiku i rënduar ka ndodhur për shkak të fluksit të madh të pushuesve që po shkojnë drejt bregdetit të jugut. Lëvizja është shumë e vështirë në drejtim të Orikumit dhe Llogarasë dhe në radhë janë me mijëra mjete.

Pamjet që po shihni janë filmuar nga një motor i punonjësve të policisë që po ndërhyjnë në zonën e bllokuar për të rritur shpejtësinë e lëvizjes së mjeteve. Një pjesë e madhe e automjeteve janë me pushues nga Kosova që janë nisur në plazh pas festës së djeshme të Kurban Bajramit.

Top Channel