Tirana nuk ndalet në merkato. Pasi siguroi firmën me Kristi Vangjelin, i cil do t’i bashkohet skuadrës bardheblu për çështje ditësh, një tjetër lojtar i Kombëtares Kuqezi do të vihet nën urdhrat e Ardian Memës.

Bëhet fjalë për Andi Lilën, futbollistin polivalent që ka vendosur me sa duket ta mbyllë karrierën në Shqipëri me 24 herë kampionët e Shqipërisë.

Pikërisht gjatë eksperiencës së tij të parë me bardheblutë ka fituar titullin kampion (2008-2009) dhe Kupën e Shqipërisë (2010-2011).

Lajmi nuk është ende zyrtar, por burime  të ‘Supersport’ pranë presidencës së Tiranës sigurojnë se Lila praktikisht është një futbollist i bardheblu.

Një tjetër vlerë e shtuar në organikën e kryeqytetasve, që me lëvizjet e shumta dhe cilësore gjatë kësaj merkatoje vere hedhin kandidaturën si rivalë të fortë për trofetë në vend, kampionatin dhe Kupën.

Top Channel