Karburant pa akcizë në treg/Gjobë 41 mln lekë në Porto Romano, subjektit i mungonte 233 mijë litra benzinë

11/08/2019 15:14

Në Porto Romano të Durrësit autoritetet po ushtojnë inspektime mbi kompanitë importuese të karburanteve. Në një prej magazinave fiskale kontrollet e doganave kanë zbuluar një mungesë prej rreth 233 mijë litrash benzinë nëdepozita, lëvizje kjo që nuk ishte deklaruar.

Ndaj subjektit është vendosur një gjobë prej 41 milion lekësh, pasi kjo ishte shkelja e parë, në rast përsëritje penaliteti, deri ne revokim të licencës. Lajmin e ka publikuar kryeministri Rama në Facebook, ndërkohe në inspektim ka qenë e pranishme Ministrja e Financave Anila Denaj dhe drejtori i përgjithshme i doganave Arlind Gjokuta. Ky i fundit tha se kryhet një verifikim i gjerë.

“Kjo është një nga pjesët e procesit që ne po kryejmë në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera, me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Inspektoratin Shtetëror Teknik dhe Industrial. Ajo që po mundohemi të bëjmë është inventarizimi fizik i të gjithë gjendjes në magazinat fiskale. Krahasimi i gjendjes me sistemin, me deklarimet që kemi në sistem dhe më pas kryqëzimi i informacionit me të gjitha faturat e shitjes dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, për të kuptuar që nga momenti i importit dhe deri në pikën fundore gjithë informacioni është i përcjellë saktë dhe gjithë produkti është i fiskalizuar dhe i pasqyruar drejt kundrejt detyrimeve doganore fiskale ndaj shtetit”, tha ai.

Ministrja e Financave deklaroi se në gusht kontrollet do të shtrihen në të gjithë vendin dhe për të gjithë artikujt e akcizës.

“Gjithashtu do të zhvendosemi edhe në Fier, si dhe në çdo pikë ku ka magazinë doganore. Kjo jo vetëm për karburantin, por edhe për produktet e tjera të akcizës”, u shpreh Denaj.

Ministrja Denaj i bëri apel bizneseve të vlerësojnë dhe të deklarojnë në mënyrë të plotë produktet që tregtojnë.

Top Channel