Liverpool ngriti siparin e kampionatit anglez të futbollit me një fitore ekzaltuese 4-1 ndaj Norwich-it, në një përballje ku autogoli i hapi rrugën vendasve që thjeshtuan lojën ndaj debutuesve.

Të kuqtë arritën të shënojnë të 4 golat në fraksionin e parë të ndeshjes. Fillimisht Henli ndihmoi ekipin e Jurgen Klop-it duke devijuar në portën e tij një krosim të Origi-t, ndërsa më pas Salah, Van Dajk dhe Origi ndezën atmosferën në Anfild Roud.

Pas pushimit, Puki arriti të shënojë golin e nderit për Norwich-in, ndërsa e vetmja notë negative e mbrëmjes ishte dëmtimi i portierit Alison Beker. Debutoi në kampionatin anglez edhe sistemi i video-arbitrimit.

Manchester City kampion në fuqi do të zbresë në fushë në orën 13:30, e para nga 6 ndeshje të programuara këtë të shtunë. Në një përballje që transmetohet Direkt në kanalet e SuperSport në platformën televizive, armata e Guardiolës do të luajë në fushën e vështirë të West Ham në Londër.

Pas 2 titujve radhazi të fituar, Citizens mbeten favoritë për të triumfuar në Premiership. Këtë sezon sheikët i kërkojnë trajnerit katalanas gjithashtu suksesin në Champions, por si në Europë ashtu edhe në shtëpi, gara përfshin shumë ekipe të forta dhe që do të bëjnë të pamundurën deri në finalet e sezonit në Maj.

 

Top Channel