Për të shmangur abuzimet dhe jo vetëm, vlerësimi i aftësisë së kufizuar për të përfituar pagesë kempi tanimë do të bëhet nëpër qendra shëndetësore.

Në qarkun e Tiranës, si fillim do të jenë 6 qendra shëndetësore ku do të ngrihen komisionet e vlerësimit.

“Ne po punojmë me ngritjen e kapacitetit të stafeve që do të jenë të përfshira, që janë mjekët e familjes dhe mjekët specialistë, që do të punojnë me reformën dhe njëkohësisht dhe të stafeve të shërbimeve sociale, të cilët janë të përfshirë në procesin e vlerësimit të ri të aftësisë së kufizuar.” deklaroi Bardhylka Kospipiri, zv.ministre e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale.

Vlerësimi i personit që do të përfitojë pagesë nuk do të jetë thjesht ai mjekësor, por komisioni do të vlerësojë dhe për mundësinë ku ata mund të punësohen apo integrohen.

“Personat me aftësi të kufizuar vlerësohen filluar nga procesi i vlerësimit mjekësor dhe pastaj shoqërohen me vlerësim social, që do të thotë integrues dhe ata të jenë persona që jo thjesht kanë një diagnozë, por që kanë një shërbim mbështetës në mënyrë që të integrohen.” tha Kospipiri.

Si fillim kjo mënyrë e re e vlerësimit të aftësisë së kufizuar do të aplikohet në Tiranë, në qendrat shëndetësore që kanë infrastrukturën e nevojshme për t’u aksesuar nga personat me aftësi të kufizuar e më pas do të shtrihet në të gjithë vendin.

Top Channel