Kërkesa e autoriteteve serbe për ekstradimin e një ish anëtari të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, Tomorr Morina, u refuzua nga gjykata në Maqedoninë e Veriut.

Gjykata penale e shkallës së parë në Shkup, pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur, vendosi se kushtet për ekstradimin e Morinës, nuk janë plotësuar. Ky i fundit mbetet në burg në pritje të një vendimi nga gjykata e lartë, për rastin.

Tomorr Morina u arrestua më 24 korrik në pikën e kalimit kufitar të Bllacës mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, bazuar në një fletë arresti të lëshuar nga interpoli serb. Ai sipas autoriteteve serbe mund të jetë përfshirë në krime kundër civilëve gjatë luftës së vitit 1999.

Vetë Morina mohon akuzat dhe ka kundërshtuar me forcë ekstradimin në serbi. Ambasadori i Kosovës, në Maqedoninë e Veriut, kishte paralajmëruar se nëse Morina do të ekstradohej në Serbi, kjo do të kishte pasoja negative më marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Shkupit ndërkohë që autoritetet serbe, i kërkuan Maqedonisë së Veriut me ngulm ekstradimin duke e vënë kështu Shkupin mes dy zjarresh.

Top Channel