Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Matthew Palmer tha se një hetim i pazgjidhur për shantazh në Maqedoninë e Veriut mund të minojë perspektivën e vendit për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ish-kryeprokurorja e Posaçme, Katica Janeva, dha dorëheqjen muajin e kaluar, pas akuzave kundër saj për organizim të një skeme për të zhvatur miliona euro nga një biznesmen i paditur në këmbim të uljes së një dënimi.

Zyra e Prokurorisë Speciale, u krijua për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta dhe ka qenë prej kohësh simbol i aspiratave transatlantike. Me drejtimin e hetimeve ndaj ish-kryeministrit autoritar Nikolla Gruevski, zyra e saj ishte e mandatuar kryesisht për të rivendosur sundimin e ligjit në vend.

Këto janë akuza serioze dhe të gjitha akuzat e tilla serioze kërkojnë një përgjigje serioze,” i tha zoti Palmer Zërit të Amerikës. Palmer tha se ai është optimist se negociatat për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE mund të hapen këtë vjeshtë, por zgjidhja e çështjes së prokurores Janeva do të jetë thelbësore për këtë vendim.

Po çfarë ka ndodhur me Maqedoninë e Veriut. Pak kohë më parë në media u publikua një video ku shfaqej një gazetar dhe show men i njohur në Shkup me emrin Boki 13 duke marrë një çantë me një milionë euro.
Skandali i quajtur Reket, ose zhvatja shpërtheu pas publikimit nga gazeta italiane La verita të videos dhe një audiopërgjimi, ku gazetari fliste me një biznesmen nen hetim për pastrim parash se masat ndaj tij duhet të zbuloheshin në shkëmbim të 8 milionë eurove.

Video tregon se si Boki 13 morri 1.5 milionë euro nga biznesmeni Orce Kamçev, duke i premtuar se me ndihmën e Katica Janevës do të lihet i lirë lidhur me akuzën për rastin “Perandoria”. Skandali ka vënë në pikëpyetje të madhe prokurorinë speciale në Shkup tek e cila kishte shpresë për të goditur korrupsionin ne nivele te larta.

Akuza e ngritur ndaj ish kryeministrit Gruevski tashmë në azil ishte një nga çështjet më të forta, por që duket se po humb kredibilitetin. Skandali zhvatja në Shkup po komentohen edhe si një lufte politike kundër kryeministrit Zaev, pranë të cilit është televizioni i krijuar nga personazhi kontravers Boki 13. Ai është mjaft i njohur në vendin e tij, si një homoseksual i deklaruar, showmen dhe gazetar dhe së fundmi krijoi edhe një televizion privat.

Top Channel