Zgjedhjet e parakohshme/ Koalicionet parazgjedhore mund të përcaktojnë fituesit në Kosovë

06/08/2019 22:13

Ndonëse seanca për shpërndarjen e Parlamentit të Kosovës është përcaktuar më 22 gusht, partitë politike kanë nisur punën për krijimin e aleancave parazgjedhore. Shumë analistë në Kosovë e shohin të vështirë krjimin e koalicioneve parazgjedhore të paktën për tre partitë e mëdha, PDK, VV dhe LDK. Gjithsesi, negociatat sapo kanë nisur.

Albin Kurti i ka bërë ftesë Lidhjes Demokratike të drejtuar nga Isa Mustafa për të hyrë së bashku në zgjedhje, të cilat pritet të caktohen për në fund të shtatorit ose në fillim të muajit tetor.

“Po, mund të fitojmë pas zgjedhjeve atëherë kur në natën e raportimeve të komisionerëve nga vendvotimet, ankthi na bëhet festë. Ama mund të fitojmë edhe para zgjedhjeve këtë herë. Koalicioni paraprak i opozitës së vërtetë të deridjeshme të bëhet qeveri e mirë e së nesërmes. Asisoj do t’i kemi së paku 70 deputetë”, shkruan kreu i VV-së.

Kurti nuk përjashton as bashkimin e një partie të vogël pas zgjedhjeve, për të bërë të mundur krijimin e shumicës absolute në Parlament.

Nga ana tjetër është Isa Mustafa që kërkon të hyjë i vetëm në zgjedhje, por ky nuk është vendim përfundimtar, duke e lënë të hapur mundësinë e koalicionit me VV-në.

Koalicionit VV-LDK shihet si e mundur që t’i bashkohet edhe partia e vogël e Alternativës.

Deri më tani LDK ka refuzuar vetëm koalicionin me rivalët historikë, PDK-në e drejtuar nga Kadri Veseli.

Me interes pritet zgjedhja që do të bëjë AAK-ja e Ramush Haradinajt. Në Prishtinë, AAK-në e shohin në koalicion me PSD-në dhe NISMA-n, por edhe me AKR-në, tre parti që nuk kanë përjashtuar asnjë mundësi për bashkëpunim.

Sa i përket PDK-së, gjasat janë që kjo parti të hyjë e vetme në zgjedhjet e parakohshme. Drejtuës të saj e kanë bërë me dije se nuk do të pranojnë të lëshojnë sërish postin e kryeministrit për hir të ndonjë koalicioni.

Koalicioni shihet si i domosdoshëm për disa parti të vogla, AKR, PSD dhe Alternativa, si e vetmja mënyrë që të hyjnë në Parlament.

Top Channel