Zona e Kallmit, vetëm 5 km larg qendrës së qytetit të Durrësit, ofron plazhe të vogla e me peizazhe mbresëlënëse, që natyra e virgjër ofron me bujari. Po për të mbërritur deri tek to duhet të përshkosh një rrugë pa rrugë.

“Vetëm me makina fuoristradë mund ta bësh këtë rrugë. Plazhe të bukura, po rruga skandal”, shprehen pushuesit.

Kallmi ofron bukuri pafund me larminë që vetë natyra i ka dhënë gjireve të tij, po për operatorët turistikë, zona e është thuajse e braktisur në shërbime e investime ndaj kërkojnë më shumë vëmendje dhe ndërhyrjen e bashkisë.

“Kjo zonë me plazhe shumë të bukura ka jo pak probleme. Përveç rrugës, edhe shërbimi i pastrimit të mbetjeve urbane lë për të dëshiruar. Nuk tërhiqen për ditë të tëra nga kazanët dhe rrugët. Edhe linjën elektrike në plazh e kemi bërë vetë. Rrugën detyrohemi që bashkë me ndonjë subjekt tjetër ta shtrojmë me çakull vetë. Bashkia duhet ta shohë këtë zonë që frekuentohet dhe nga turistë të huaj, gjermanë e italianë tani”, tha Dashnor Meçani, operator turistik.

Sezoni turistik ka hyrë në pikun e tij dhe nevojat e pushuesve për më shumë akses në plazhet e veccuara, ato më pak tradicionale dhe më pranë natyrës, janë në rritje.

Top Channel