Pas rënies së komunizmit, vendi ynë është karakterizuar nga një fenomen shqetësues, atë të gjobëvenies. Bizneset dhe drejtuesit e tyre, në jo pak raste janë përballur me grupet e të fortëve të cilët u kanë marrë para nëpërmjet kërcënimeve, dhunës dhe presioneve.

Në vetëm tre ditët e fundit, policia ka vënë në pranga 5 persona dhe ka shpallur një tjetër në kërkim, pasi ata nëpërmjet kanosjes dyshohet se i kanë vënë gjobë një tjetër personi.

Këto janë momente nga arrestimi që u bë pak ditë më parë në Durrës, 3 personave që dyshohet të kenë gjobitur një biznesmen në vlerën e 50 mijë eurove.

Ish zëvendës Drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, shpjegon se gjobëvënësit kanë disa forma me të cilat operojnë për të siguruar para.
“Kanosje e drejpërdrejtë, marrje prone, eksploziv. Hyrja në cështje konfliktuale apo dobësi të biznesve, që më pas vjelin para nga të dyja anët- tha Ish zëvendës Drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani.

Për Breçanin, një biznes që e paguan njëherë gjobën, e ka të vështirë ta shmangë atë për një herë të dytë, nëse rasti nuk denoncohet në polici.

“Ti e paguan njëherë gjobën 1 milion, mbas dy muajsh të vjen radha prap për të paguar. Do paguash 5, 10 e kështu me radhë. I bëj thirrje që të denoncojnë rastet dhe të shpëtojnë veten e tyre”- u shpreh Breçani.

Frika e personave të gjobitur, për t’i denoncuar gjobëvënësit ka bërë që identifikimi i këtyre rasteve të jetë i vështirë, duke iu dhënë grupeve të të fortëve hapësira për t’u fuqizuar ekonomikisht.

Top Channel