Në Gjirokastër, gushti duket se do të jetë muaji më i mirë i turizmit për këtë vit. Qindra vizitorë shumica njëditorë zbulojnë çdo ditë ofertat lokale për vizita në monumente, shtigje për hiking, aktivitete të aventurës por edhe kulinari lokale.

Ergest Ajdini që menaxhon një agjenci turistike lokale thotë se oferta turistike ka nevojë të përsoset sidomos informacioni, sinjalistika, markimi i shtigjeve për ecje në rrethina. Këto sipas tij i kanë shqetësuar më shumë turistët sesa situata kaotike e pazarit për shkak të ndërhyrjes në kalldrëme.

Ndërsa Blerina Nora që informon çdo ditë vizitorët në Zyrën e Informacionit të ngritur nga bashkia thotë se situata është optimiste dhe ofertat lokale janë duke u përsosur.

Beni dhe Eloisa nga Franca po përpiqen të gjejnë në hartë disa destinacione për të vizituar. Ata thonë se Shqipëria dhe qyteti ju pëlqen por informacioni është shumë i cunguar.

“Erdhëm në Shqipëri dhe menduam të blejmë ca botime informuese më parë në Francë. Gjetëm vetëm një botim në frëngjisht dhe u befasuam. Tani na dhanë këtë hartë. Dakord, duken qartë monumentet do shkojmë ti vizitojmë por mos vallë e dini çfarë mund të bëjmë në zonën përreth Gjirokastrës?”, shprehen turistët.

Maria nga Belgjika gjendet në Gjirokastër me një grup miqsh.

“Kemi qenë në të gjithë Shqipërinë. Gjithandej njerëzit janë të ngrohtë dhe mikpritës, ka shumë për të parë si në Gjirokastër. Informacioni ka qenë i pasaktë në disa raste sidomos në veri. Disa qendra që reflektonin të hapura online i gjetëm mbyllur dhe hartat na ngatërruan ca por nuk ka problem. Po kalojmë mirë”, shprehet Maria.

Dorinela Kallfa udhërrëfyese turistike gjendet në qytet për një vizitë disa orëshe me një grup skandinav. Ata sapo kanë dalë nga tuneli i luftës së ftohtë në Gjirokastër. Megjithëse vizitorët i tërheq historia dhe sidomos kureshtja për të kaluarën historike ka edhe ankesa.

Idar dhe Meri 2 prej të rinjve norvegjezë pjesë e grupit skandinav nuk hezitojnë ta shprehin këtë shqetësim.

“Tuneli i Luftës së Ftohtë ishte një vizitë që na bëri përshtypje.Njohja me paranojën e komunizmit por edhe shumë monumente historike e bënë këtë vizitë shumë interesante pastaj edhe guida jonë ishte shumë e mirë. Po të gjitha këto dakord por plehrat gjithandej janë diçka që nuk na pëlqeu madje na shqetësoi shumë. Isha gati të pastroja. Plastikë kudo, në rrugë, përreth Butrintit, në Syrin e Kaltër në Gjirokastër. Duhet të bëni diçka për këtë sepse vendi ka kaq shumë për të treguar”, thonë turistët.

Numri i vizitorëve të deritanishëm është vështirë të llogaritet në Gjirokastër por fakti që vetëm kapaciteti akomodues është rritur këtë vit me rreth 300 shtretër dhe pothuajse të gjitha njësitë janë të prenotuara tregon se numri i vizitorëve që kalojnë të paktën 1 natë në qytet është rritur e për pasojë edhe të ardhurat prej turizmit.

Top Channel