Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, ka vijuar inspektimet si pjesë e zbatimit të Planit Operacional, në luftë kundër informalitetit.

Gjatë verifikimeve të kryera nga strukturat e Hetimit Tatimor, në Tiranë, në orët me aktivitet më të lartë ekonomik është konstatuar se ka përmirësim të dukshëm të treguesve edhe për shkak të rritjes së ndërgjegjësimit të subjekteve për t’u vetëkorrigjuar. Megjithatë, nuk kanë munguar edhe raste të përsëritjes së vazhdueshme të shkeljeve.

“Janë konstatuar shkelje për herë të tretë të kuponit tatimor dhe bazuar në procedurat tatimore, përgjegjësit në këtë rast do të ndiqen penalisht. Është e rëndësishme të kuptohet se duhet të pritet kupon tatimor edhe në hyrje të lokaleve të natës për të shmangur penalizimet drastike. E kërkojmë këtë pasi nuk do të donim të ishim as në pozitat e vendosjes së shiritave dhe as të ndjekjes penale”, tha ministrja Denaj.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, z.Ervin Hoxha, tha se gjatë kontrolleve të ushtruara janë konstatuar lokale me xhiro të lartë, që kanë shmangur detyrimin për të prerë kupon tatimor.

“Kemi vënë re tendenca për mosdeklarim dhe mos përmirësim të xhiros nga këto subjekte, që janë me risk të lartë. Ju bëjmë thirrje që të vetë përmirësohen dhe vetë deklarohen sepse kontrollet do të vazhdojnë në mënyrë që të përmirësojmë këtë situatë”, tha z.Hoxha.

Gjithashtu, një aspekt i rëndësishëm në luftën kundër informalitetit është edhe ndryshimi i ligjit të Procedurave Tatimore, si pjesë e paketës “Moneyval”, për të cilin znj. Denaj kërkoi bashkëpunim e tatimpaguesve për zbatimin e plotë të tij.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë i bëri apel tatimpaguesve të regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Administratës Tatimore të hapin llogari bankare të biznesit të tyre, jo më vonë se 90 (nëntëdhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji (data 26.07.2019) dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore. Ndërsa, tatimpaguesit e regjistruar rishtas janë të detyruar të hapin llogarinë bankare të biznesit/organizatës, jo më vonë se 20 (njëzet) ditë kalendarike nga e nesërmja e regjistrimit në QKB/Administratën Tatimore dhe ta deklarojnë atë në organet tatimore.

“Ju lutemi tatimpaguesve të hapin llogaritë bankare, të regjistrojnë biznesin sipas procedurave ligjore. Nëse respektojmë rregullat, respektojmë ligjet shqiptare, atëherë do të kemi më pak inspektime, një marrëdhënie korrekte dhe garantim të konkurrencës së ndershme në treg”, tha ministrja Denaj.

Top Channel