Ministria e Financave ka përgatitur një projektligj, I cili forcon mbikëqyrjen tatimore te biznesit. Drafti, i cili është hedhur për konsultim publik parashikon implementimin e një softwari të ri në kasat e bizneseve, i cili transmeton në kohë reale çdo shitje në serverin e tatimeve.

Aktualisht bizneset e raportojnë xhiron e tyre në tatime vetëm një herë në ditë, kur mbyllin aktivitetin e tyre dhe shtypin kasën për të transmetuar xhiron ditore. Por me ligjin e ri dhe programin që do të instalohet çdo kupon që pritet do të transmetohet në kohë reale në serverin e tatimeve.

Përveç shitjeve nga biznesi tek konsumatori, drafti i ri do të ndryshojë mbikëqyrjen edhe për shitjet biznes me biznes. Sot, kur një biznes shet tek një tjetër, transaksioni dokumentohet përmes faturës tatimore fizike.

Por me ligjin e ri, qeveria do të instalojë faturën elektronike. Pra sipas draftit të gjitha bizneset do të instalojnë një program të ri kompjuterik, i cili transmeton në kohë reale faturën elektronike për çdo shitje shumice apo pakice tek bizneset e tjera.

Instalimi i programit të ri do të ketë edhe një kosto shtesë për biznesin, që sipas ministrisë së financave do të jetë minimale dhe nuk e kalon shifrën 5 mijë lekë.

Por sipas tyre, instalimi i këtij programi dhe drafti u ri do të mbyllë shtigjet për evazion fiskal, veçanërisht tek bizneset e mëdha dhe i mundëson administratës tatimore të kontroll të gjithë zinxhirin e transaksioneve në treg.

Top Channel