Foto ilustruese

Teksa debati për teatrin vijon, kryeministri Rama sjell amanetin e regjisorit Mihallaq Luarasi, i cili shprehej dikur se: Është turp që teatri ka ngelur në atë ndërtesë.

Përmes një postimi në Facebook, kreu i qeverisë, Edi Rama ka përcjellë ditën e sotme amanetin e regjisorit të famshëm Mihallaq Luarasi, i cili pak vite para se të ndahej nga jeta deklaronte se teatri i sotëm është i pandreqshëm.

“Mihallaq Luarasi, regjizori i famshëm i Teatrit Kombëtar, u kthye në shënjestrën e pamëshirshme të diktaturës komuniste, gjatë gjuetisë së egër të shtrigave që Enver Hoxha shpalli në vitet ‘70, kundër artit e kulturës së degjeneruar perëndimore. Ai u linçua publikisht nga vetë diktatori komunist dhe u cfilit burgjeve, duke hyrë në librat e gazetat e propagandës enveriste, si një dele e zezë e regjimit totalitar. Ai sot nuk jeton më, por e ka lënë pak vite më parë amanetin e tij për Teatrin Kombëtar.

Mhallaq Luarasi: Ky teatër që kemi sot është i pandreqshëm. Është turp që Teatri Kombëtar i Shqipërisë ka ngelur në atë ndërtesë të ndërtuar që në kohën e Italisë. Qysh në vitin 1966, drejtuesve të asaj kohe i është kërkuar një teatër i ri, që fatkeqësisht nuk u ndërtua kurrë. Duhet më shumë vëmendje për Teatrin Kombëtar, nuk duhet një rikonstruksion i tij, por ndërtimi i teatrit të ri. Më 1966 në Teatrin Kombëtar, kur ishte gjallë dhe aktori i madh Naim Frashëri, rastësisht u takuam në oborr me Manush Myftiun, anëtar i byrosë politike atë kohë. Naimi i tha: “Nuk po mendon partia për një teatër të ri?”, ndërsa përgjigja e Manush Myftiut ishte: “Naim, nipat tanë të ndërtojnë një teatër të ri, ne nuk kemi mundësi, presim nga nipat tanë”. Pra ne jemi ata që sot duhet ta ndërtojmë një teatër të ri kombëtar”, thuhet në postimin e Ramës, ku citohen edhe fjalët e regjisorit Luarasi.

Top Channel