Zyrtarisht Valdrin Pjetri është kryetari i ri i bashkisë së Shkodrës. Gjykata e shkallës së parë mori sot vendimin për t’i vërtetuar mandatin Pjetrit, i cili u shpall fitues në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Tre ditë më parë, kjo gjykatë e shtyu vendimin duke kërkuar kohë për tu njohur me provat e paraqitura nga Bashkia e Shkodrës dhe Voltana Ademi që pretendonin parregullsi dhe shkelje gjatë procesit të votimit dhe numërimit.

Në përfundim të seancës gjyqësore, gjyqtari Hasan Selimi dha vendimin e tij duke njohur mandatin 4 vjeçar të Pjetrit në krye të bashkisë.

“Ne tani na pret një punë e madhe, për bashkinë që duam, për Shkodrën që duam”, tha Pjetri për mediat.

Në garën e 30 Qershorit, Valdrin Pjetri kandidoi i vetëm për postin e kryebashkiakut ndërsa për hërë të parë bashkia e Shkodrës do të drejtohet nga një socialist.

Top Channel