Bllokohen bujtinat informale. Aksion në Gjirokastër për reklamimin “online”, por nuk paguanin taksa

25/07/2019 15:29

Në Gjirokastër, 2 bujtina familjare janë bllokuar prej Drejtorisë së Tatimeve gjatë korrikut, për shkak të operimit në informalitet.

Problemi sipas kreut lokal të tatimeve, qëndron në mos regjistrimin e shumë subjekteve, ndërkohë të reklamuar në “booking”.

Në takimin e thirrur nga prefekti i qarkut, lidhur me fshehjen e të ardhurave nga biznesi dhe subjektet e paliçensuara, u raportua një rënie drastike e të ardhurave të deklaruara për 6 mujorin e parë të 2019.

Sipas raportimeve, sektorët ku është vënë re rënie janë turizmi, tregu i karburanteve dhe ndërtimi.

Drejtoria e Doganave nuk foli për rënie, por për nevojën e kontrolleve të përforcuara gjatë periudhës së fluksit të lartë të qarkullimit në të dy anët e kufirit.

Informaliteti i lartë i evidentuar së fundi lidhet me çeljen e njëkohshme të dhjetëra bujtinave, hosteleve por edhe njësive më të vogla në funksion të rritjes turistike.

AKU bëri me dije se pushteti lokal në të gjithë qarkun ka përgjegjësi për mungesën e kontrolleve.

“Përgjegjëse bashkia e Gjirokastrës për tregtimin e qumështit të pakontrolluar në rrugë dhe atë të Tepelenës për tregtimin e mjaltit të falsifikuar jashtë çdo lloj standardi në pikën e Ujit të Ftohtë”, është shprehur Besnik Brahimi.

Në të gjithë qarkun numërohen gjithsej rreth 4700 biznese. Vetëm gjatë vitit të fundit u regjistruan në platformën e Booking mbi 170 bujtina të reja shumica e të cilave ende nuk është regjistruar.

Këto biznese informale sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë po mbajnë gati 50% të peshën së akomodimit dhe ushqimit dhe po konkurrojnë bizneset e liçensuara.

Top Channel