Çështja Ronaldo-Mayorga ndryshon tërësisht në favor të sulmuesit portugez të Juventusit. Prokuroria e Las Vegasit bëri të ditur rënien e akuzave për përdhunim të ngritur nga ish-modelja amerikane. Sipas komunikatës së kësaj Prokurorie që iu shpërnda të gjitha medieve, hetuesit që u morën me këtë çështje arritën në përfundimin se nuk ka prova të forta që të vërtetojnë se futbollisti kreu përdhunim në një hotel të Las Vegasit në verën e vitit 2009.

Kjo çështje shpërtheu në muajt e kaluara kur ‘Der Spiegel’ publikoi disa dokumente të siguruara nëpërmjet ‘Football Leaks’, mes të cilave ishte edhe një akord i rezervuar i nënshkruar në vitin 2009 nga Mayorga dhe Ronaldo  në mënyrë që modelja të mos tregonte atë çfarë ka ndodhur me portugezin që i pagoi 375 mijë dollarë.

Sipas versionit të Mayorgës, modelja që në atë kohë ishte 25 vjeçe, u përdhunua në një dhomë hoteli në Las Vegas ku Cristiano Ronaldo ishte me pushime përpara se të përfundonte transferimin e tij nga Manchester United te Reali i Madridit.

Nga ana e tij, futbollisti 34 vjeçar i ka hedhur gjithnjë poshtë këto akuza të ngritura ndaj tij dhe në fund hetuesit i dhanë të drejte 5 herë fituesit të Topit të Artë.

Top Channel