Kampioni, një qenush dy vjeç e dy muaj, në qytetin Athens në Kosta Rika, u bë kafsha e parë në Amerikën Latine që u paraqit në një sallë gjyqi, si viktimë e abuzimit nga ish pronari i tij.

Kryetari i gjykatës së qytetit, që ndodhet 35 km larg San Hozesë, paralajmëroi se ai nuk do ta toleronte kaosin në sallë.

Kampioni, i ndoqi urdhrat: përveç një lehjeje të vogël, ai u soll për mrekulli. Salla e vogël e gjykatës ishte e mbushur plot, me gazetarë, fotografë dhe kameramanë, civilë, prokurorë, dëshmitarë, të paditur, avokatë dhe banorë të zonës që kishin ardhur për të mbështetur viktimën.

Në nëntor 2017, Konja nuk quhej ende kampion. Ai ishte vetëm gjashtë muajsh dhe thirrej Tyson kur mbahej i lidhur me një litar, aq të shtrënguar sa e kishte lënduar dukshëm në qafë. Ai po ashtu ishte i keq ushqyer, i dobët dhe i mbushur me pleshta. Një shoqatë për mbrojtjen e kafshëve, kishte denoncuar rastin, shoqëruar edhe me një video që tregonte se si ishte trajtuar qeni.

Tani, vetë kampioni duket se e ka marrë veten. Sidoqoftë ai trajtim ka lënë gjurmë; ai nuk e duron më litarin në qafë.

Ligji në Kosta Rika parashikon dënime nga gjashtë muaj në tre vite burg për keqtrajtim që rezulton me vdekjen e kafshëve, dhe gjashtë muaj deri në dy vite burg për akte mizorie ndaj tyre. 20 deri në 50 ditë burg është ndërkohë dënimi për abuzim të thjeshtë.

Top Channel