Ashtu siç pritej, Boris Johnson, i cili ka drejtuar Bashkinë e Londrës dhe më pas diplomacinë britanike, ka arritur të marrë mandatin për të qenë kryeministër i ardhshëm i Britanisë nga anëtarësia e Partisë Konservatore në pushtet prej 160 mijë vetësh, ndërkohë që janë 46.8 milione britanike që kanë të drejtë vote.

Ai do të jetë kryeministri i 77-të i Britanisë ku për herë të parë në histori, një i tillë zgjidhet nga anëtarësia e partisë dhe jo nga deputetët apo elektorati më i gjerë britanik.

Boris Johnson, do të drejtojë një administratë pakice pasi partia Konservatore britanike varet nga votat e deputetëve unionist të Irlandës së Veriut që janë për një bashkim më të ngushtë mes Britanisë dhe Irlandës së Veriut.

Transferimi i pushtetit nga kryeministrja aktuale Theresa May që dha dorëheqjen për shkak të Brexit ku do duhet të ketë sukses Boris Johnson, pritet të ndodhë të mërkurën pasdite, pasi kryeministri i ri të kërkoj aprovimin e Mbretëreshës për formimin e qeverise se re.

Boris Johnson do përballet me sfidat më të ashpra që nga Lufta e Dytë Botërore ku borxhi kombëtar britanik është në nivele që nuk janë parë që nga vitet 1960, dhe mbi të gjitha, kur i kanë ngelur afro 100 ditë nga 31 tetori , dita e Hallowen-it, e cila koinçidon me datën kur Britania do duhet të dalë nga Bashkimi Evropan siç është deklaruar kryeministri i ri , “gjallë a vdekur”.

Johnson e ka nisur karrierën si gazetar në Bruksel për të arritur në postin e lakmuar të kryeministrit të vendit. Një njeri karizmatik për disa dhe eksentrik për të disa të tjerë, Johnson, ka pasur sukses si kryebashkiak i Londrës, ndërkohë që ka bërë edhe shumë gafa në kohën kur ka qenë në krye të Foreign Office-it. Kryeministri bjond i Britanisë, i cili tashmë është quajtur edhe “Trampi britanik”, për shkak të ngjyrës së flokëve të shpurpurisur dhe stilit të tij të komunikimit, mendohet se mund të jetë kryeministri me jetëshkurtër në Britani, nëse nuk materializon Brexitin, përballë një parlamenti që është kundër Brexit, i cili ia nderpreu karrierën paraardhëses së tij Theresa May.

Jetëgjatësia e tij kyeministrore do të varet nga suksesi i negociatave të tij me BE si dhe marrëdhëniet me parlamentin, dështimi i të cilave mund të çojë në zgjedhje të reja të parakohshme ku konservatorët kanë frikë se mund të humbasin pushtetin.

Ka dy lloj politikanësh në këtë jetë; ata që duan të jenë dikush dhe ata që duan të bëjnë diçka. Boris Johnson arriti më në fund të jetë dikush dhe pikërisht kryministri i ardhshëm i Britanise, mbetet të shihet nëse do bëjë diçka dhe më kryesorja, është dalja ose jo e Britanisë nga Bashkimi Evropian, me ose pa marrëveshje.

Top Channel