Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar në nëntë vjetorin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që vlerësoi pavarësinë e Republikës së Kosovës në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

Meta thotë se ka qenë kënaqësi të përjetonte atë moment historik në rolin e ministrit të Jashtëm dhe thekson se Qeveria ku ai bënte pjesë dhe drejtohej nga Sali Berisha, bëri më të mirën për të forcuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Reagimi i Metës

Nëntë vite më parë, pretendimit serb mbi paligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha fundin e merituar, duke njohur aktin e shpalljes së pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

Ky vendim historik ishte njëkohësisht njohje dhe vlerësim ndaj sakrificave sublime të të gjithë atyre që nuk iu nënshtruan spastrimit etnik dhe nuk bënë asnjë kompromis me të drejtën e patjetërsueshme të qytetarëve të Kosovës, për të jetuar të lirë dhe në paqe si të gjithë europianët e tjerë.

Ishtë kënaqësi për mua ta përjetoja këtë moment historik si Ministër i Jashtëm, asokohe i një qeverie që bëri më të mirën për të forcuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Kosova si shtet i lirë dhe i pavarur është realitet i pakthyeshëm që ka kontribuar për më shumë paqe, siguri dhe stabilitet në rajonin tonë.

Top Channel