Amerikanët janë përgatitur të përballen me një tjetër ditë, njësoj përvëluese, me temperaturat gjatë ditës që do të arrijnë në 38 gradë celsius në një numër qytetesh të mëdha. I nxehti përvëlues është shtrirë nga pllajat e pjesës qendrore deri në brigjet e atlantikut dhe ka prekur 150 milionë njerëz.

Temperaturat që po shohim në qytetin tonë këto ditë, mund të jenë më të lartat në vite. Merreni situatën seriozisht”, – shkruante në Twitter kryebashkiaku i Nju Jorkut Bill de Blasio.

I nxehti do të vazhdojë edhe përtej të dielës, ndërsa një sistem i presionit të lartë mbi atlantik, ka sjellë masa ajri subtropikale mbi vend.

Shërbimi kombëtar i motit ka lëshuar paralajmërime për zonën e Uashingtonit dhe Baltimorës ku parashikuesit thonë se temperaturat do të variojnë nga 35 deri në 38 gradë celsius.

Temperaturat e larta dhe lagështia mund të shkaktojnë stres apo goditje nga i nxehti nëse nuk merren masa – paralajmërojnë ekspertët. Njerëzit janë këshilluar të qëndrojnë të hidratuar dhe të kujdesen veçanërisht për të sëmurët dhe të moshuarit, të qëndrojnë brenda sa më shumë të jetë e mundur dhe të mos lënë fëmijë apo kafshët në makina. I nxehti ka marrë deri më tani të paktën tre jetë njerëzish.

 

Top Channel