Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim në Kurbin ku ka folur për një shumicë absolute që refuzuan votimet e 30 qershorit dhe që, sipas tij, u bënë pjesë e “Rama ik”.

“Kjo shumicë absolute është në radhë të parë, treguesi i vetëdijësimit të njerëzve se 30 qershori nuk bëhej për ta, por bëhej për Edi Ramën dhe një grusht banditësh dhe oligarkësh me të cilët sundon qeverinë”, është shprehur Basha.

Sipas Bashës, “po të heqim pjesëtarët e administratës, të cilët u sollën me forcë në proces dhe lanë në fletëvotime dëshmitë “më detyruan”, del se as 1 në 3 socialistë nuk u bë pjesë e kësaj farse.”

Në takimin informal me strukturat e PD në Laç, kryedemokrati tha se gjendja e rëndë ekonomike e qytetarëve është arsyeja e dytë e madhe për refuzimin e “regjimit të Ramës”.

“1 në 3 familje nuk mbyll dot muajin, me shpenzimet për ushqimet bazë. Papunësia ka arritur në shifra rekord dhe kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme për shumicën dërrmuese të shqiptarëve”, argumentoi ai.

Lulzim Basha theksoi se refuzimi i Edi Ramës nuk do të kishte këto përmasa plebishitare, sipas tij, pa vendimet kurajoze të opozitës për përballje dhe djegien e mandateve.

“30 qershori është refuzim i Edi Ramës, është thirrje për ndryshim. Kjo thirrje i drejtohet para së gjithash Partisë Demokratike”, nënvizoi kryedemokrati Basha i cili vuri në dukje se PD, ka pergjegjësinë t’i njohë shqiptarët, pa u lodhur, çdo ditë, me vizionin dhe programin e PD. “Refuzimi kombëtar i 30 qershorit është një përgjegjësi e madhe për ne, për ta kthyer këtë bashkim popullor në energjinë e ndryshimit politik dhe ekonomik që kërkon çdo shqiptar.”

FOTO GALERI
2/6

Top Channel