Të enjten në mesditë sheshi i Teatrit Kombëtar pati sërish vëmendje. Kjo sepse një pjesë e sendeve brenda godinës u zhvendosën.

Brenda godinë së kyçur prej kohësh nuk lejohet media dhe artistët.

Vazhdimisht zërat për një urdhër të mundshëm për zhvendosje janë mohuar nga punonjësit e atyshëm. Por në fakt nëpër korridore thuhet se një urdhër ka ardhur për zhvendosjen e sendeve, duke i lënë këto godina bosh për hapin e radhës, që është deklaruar që është shembja.

“Dje në mëngjes kanë filluar çmontimin e pajisjeve të rënda të Teatrit Kombëtar për ta bërë gati për ta shembur. Qëndruam deri në orën 06:00 të mëngjesit, e më pas kanë qëndruar njerëz të tjerë”, tha Robert Budina.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit sëbashku me opozitën kanë qendruar natën e së enjten duke u gdhirë e premte në këtë shesh të vogël, ku prej më shumë se një viti kryejnë një protestë qëndrese kundër shembjes.

“Ne do të qëndrojmë për një arsye shumë të thjeshtë. Kemi 1 vit e gjysmë që rrimë këtu pa asnjë lloj interesi. Këtë kohë të investuar këtu nuk mund t’ia falim pushtetit sepse nëse do të bëjmë këtë do të humbim shpresën e njerëzve se edhe kur reziston kaq gjatë nuk fiton”, tha Robert Budina, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Ministria e Kulturës e mohon ekzistencën e një urdhri.

Ajo që shohim sot është që një fugon i teatrit po transporton rekuizitën, një proces i zakonshëm ky në çdo fund sezoni.

Aleanca dhe protestuesit mendojnë se kjo po kthehet në një lojë nervash, me provokime të herëpashershme.

Kujtojmë se më herët janë hequr edhe gërmat; Teatri Kombëtar. Të cilat u rivunë nga protestuesit për mbrojtjen e godinës.

Ndërkohë askush nuk i mori përgjegjësitë për këtë veprim.

Top Channel