Ka përfunduar që në turin e parë aventura e klubeve shqiptare të eliminatoret e Europa League, pasi si Kukësi e Laçi që ishin të pafat në short, ashtu edhe Teuta, nuk ia dolën të kualifikohen për në raundin tjetër.

Sfida e mbrëmjes së sotme në “Elbasan Arena” ishte një “mision i pamundur” për Kukësin që gjithsesi tentoi të bëjë befasinë  përballë Debrecenit, duke kaluar shpejt në avantazh me Et’hemin. I njëjti futbollist pati një mundësi të artë të dyfishojë shifrat në fundin e pjesës së parë, por gaboi përballë portierit hungarez, Nagy.

Në pjesën e dytë skuadra e Gjokës tentoi disa herë të gjejë golin që do të “ndizte” entuziazmin dhe shpresat për kualifikim, por në momentin më të mirë, pësoi një gol nga pakujdesia e portierit Frashëri, duke shndërruar në një mirazh, kalimin për në turin tjetër.

Sfida e mbrëmjes së sotme përfundoi në barazim 1-1, me hungarezët që vijojnë më tej falë rezultatit të përgjithshëm 4-1, ndërsa Kukësit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të fillojë punën për të përgatitur sezonin e ardhshëm të Superligës.

Përfaqësim dinjitoz dhe përtej pritshmërive bëri Laçi përballë izraelitëve të Hapoel Be’er Shevas, një skuadër me mjaft eksperiencë në kupat europiane dhe me një buxhet shumë të lartë në dispozicion.

Nën drejtimin e Sulejman Starovës, bardhezinjtë morën një barazim 1-1 në Kurbin javën e kaluar dhe luajtën shanset e tyre për kualifikim mbrëmjen e sotme në Be’er Sheva, ku humbën me rezultatin minimal 1-0 dhe mbetën jashtë kompeticionit.

Tashmë e vetmja skuadër shqiptare që “do të mbajë flamurin” në Europë, është Partizani kampion, që u eliminua nga eliminatoret e Champions League, por do të vijojë garën në Europa League, ku do të gjejë përballë moldavët e Sherif Tiraspolit.

Top Channel