Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristine Lagarde, dha dorëheqjen të martën, pas konfirmimit të saj të mundshëm, si Presidente e ardhshme e Bankës Qendrore Europiane, duke hapur në të njëjtën kohë edhe garën për pasuesin e saj.

Në letrën e saj të dorëheqjes, 63 vjeçarja tha se ishte menduar shumë nëse do ta pranonte apo jo nominimin e Këshillit Europian, për të zëvendësuar Mario Dragin në Bankën Qendrore Europiane, dhe në fund kish vendosur të thoshte po.

Ajo e paraqiti letrën e saj të dorëheqjes të enjten dhe menjëherë më pas u ndez gara për pasuesin.

Ish Ministrja e qeverisë franceze, mandati i dytë i të cilës në krye të FMN do të skadonte në 2021, tha se do të largohej nga posti më 12 shtator, datë kjo më e mundshmja e fjalës së saj para komisionit ekonomik të Parlamentit Europian.

Fondi, i krijuar në fund të luftës së dytë botërore, për të ndihmuar bashkëpunimin financiar flobal, ka patur gjithnjë një evropian në krye të tij, pjesë e një marrëveshjeje të pashkruar me SHBA, që në anën tjetër ka një amerikan në krye të bankës botërore.

Me ekonomistin amerikan David Malpass, që u zgjodh President i Bankës Botërore më herët këtë vit, analistët presin që kompromisi të vazhdojë. Ndërkohë, ndër emrat që përfliten si zëvendësues të Lagarde në krye të FMN, janë Mark Karney, Guvernator i Bankës së Anglisë, Olli Rehn, Guvernator i Bankës së Finlandës, Pierre Moscovici, Komisioner Europian për çështjet ekonomike, Kristalina Georgieva, Shefe Ekzekutive e Bankës Botërore, etj.

Top Channel