Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve shqyrtoi mesditën e së martës, 22 bashki e dyta, për shpërndarjen e mandateve të këshillave bashkiakë. Por për asnjërën prej këtu bashkive, nuk u arrit kuorumi i nevojshëm, me 5 vota të KQZ-së ashtu sic e përcakton kodi zgjedhor, për të bërë të mundur shpërndarjen e mandateve.

Vota kundër ishte ajo e kryetarit Klement Zguri.

E njëjta situatë ndodhi edhe në mbledhjen e KQZ-së në datën 10 korrik, ku u shqyrtuan 20 bashkitë e para. As në këto bashki nuk u arrit kuorumi prej 5 votash.

Kjo i hap rrugë një beteje të re ligjore në Kolegjin zgjedhor. Në një intervistë për top channel, pak ditë më parë, anëtari i KQZ-së, Bledar Skenderi, tha se partia socialiste ka bërë kërkesë padi në kolegj, me qëllim shpërndarjen e mandateve për këshillat bashkiakë.

Kjo është një procedurë e ndjekur edhe në zgjedhjet e vitit 2013, kur KQZ nuk kishte kuorumin e nevojshëm, për shkak se ishte me katër anëtarë dhe nuk mund të bënte dot shpërndarjen e mandateve të deputetëve. Ishte kolegji zgjedhor që shpërndau mandatet edhe në atë vit.

Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar mbledhjen e radhës ditën e mërkurë, ku do të bëhet shqyrtimi i 13 bashkive të tjera.

Top Channel