Meta vijon “luftën” me Ramën/ “Fajtor që s’kemi Gjykatë Kushtetuese. Keqinformoi edhe Donald Lu për KED”

16/07/2019 19:35

Mospasja e një Gjykate Kushtetuese sipas presidentit Ilir Meta ka nisur me mos funksionimin e Këshillit të Emërimeve në drejtësi që bën vlerësimin, renditjen dhe listimin e kandidatëve, anëtarët e Gjykatës nga ku – tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës; po aq nga Kuvendi dhe Gjykata e Lartë.

“Asnjë gjyqtar dhe asnjë prokuror nuk kontestoi përmbajtjen e listave të kandidatëve të përfshirë në short, lista këto të dërguara nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe të shpallura prej tyre. Asnjë gjyqtar apo prokuror nuk kundërshtoi rezultatet e shortit të hedhur për zgjedhjen e KED.

Kryeministri Rama 4 (katër) ditë pas hedhjes së shortit doli hapur dhe publikisht për t’u shprehur se nuk i pëlqenin emrat e anëtarëve të KED-së. Në datë 31 janar 2017, Kryeministri Rama shpërthen duke i kërcënuar drejtpërdrejt të gjithë anëtarët e KED-së, duke i shantazhuar se do t’i shkarkonte me vetting. Kryeministri shfaqi hapur se kishte në dorë, jo vetëm të bllokonte Këshillin, por edhe t’i shkarkonte më shumë se gjysmën e tyre”, tha presidenti.

Përse Kryeministri sulmoi institucionin e parë të Reformës në Drejtësi (KED) pyet presidenti Meta duke dhënë këtë përgjigje.

“Përgjigjet janë shumë të thjeshta për t’u kuptuar: Sepse anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi emrat e të cilëve dolën nga shorti i zhvilluar në mënyrën më transparente në 27 janar 2017 nuk i përgjigjeshin interesave dhe shijeve të Kryeministrit.

Sepse nëse KED 2017 do të funksiononte, Gjykata Kushtetuese do të ishte plotësuar dhe do të ishte gjithmonë funksionale për të kontrolluar veprimtarinë dhe vendimet e Kryeministrit, Qeverisë, Kuvendit dhe gjithë institucioneve të tjera. Kryeministri e bllokoi Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për 1 vit rresht përgjatë gjithë vitit 2017”, tha Meta.

Presidenti Ilir Meta krahas akuzave në adresë të kryeministrit bën bashkëfajtor duke e cilësuar si të keq informuar edhe ish-ambasadorin amerikan Donald Lu.

“Në ndihmë të këtij projekti, ai përdori duke e keqinformuar dhe ambasadorin e nderuar të SHBA në atë kohë. Por qëndrimi i ambasadorit ishte tërësisht gabim, pasi siç e pranoi ai vetë më vonë, ishte keqinformuar nga përfaqësues të Partisë Socialiste. Të gjitha pretendimet e ambasadorit u verifikuan një për një dhe rezultoi se Prokuroria e Përgjithshme në rastin konkret kishte zbatuar në mënyrën më korrekte kërkesat e Kushtetutës dhe të nenit 221 të ligjit nr.115/2016.

Pasi u njoh me rezultatin e verifikimit, ambasadori i kërkoi ndjesë Kryetarit të Kuvendit duke u justifikuar se e kishin keqinformuar përfaqësuesit e Partisë Socialiste. Po a mund të mblidhej dhe të funksiononte më kjo KED, pas këtyre deklaratave publike të Kryeministrit Rama dhe Ambasadorit Amerikan?!”, vazhdon ai më tej.

Ndërkohë që, vettingu zbraste totalisht Gjykatën Kushtetuese thotë presidenti Ilir Meta , Ramaforma bllokoi Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për të mos lejuar plotësimin e vendeve vakante.

Top Channel