Kryeprokurorja speciale e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva dha dorëheqje pas dështimit të partive politike për një marrëveshje lidhur me projektligjin për punën e kësaj prokurorie.

“Nuk do të lejoj që emri im të përdoret për alibinë e dikujt për mbajtjen peng të fatit të prokurorisë dhe integrimeve evropiane të vendit tim”, shkroi Janeva në njoftimin e dorëheqjes.

Katica Janeva është akuzuar nga opozita se “punon për interesat e partive në pushtet, duke ndjekur vetëm përfaqësuesit e opozitës, por jo edhe zyrtarët që çdo ditë përballen me skandale të ndryshme korruptive”. Partia opozitare VMRO DPMNE ka thënë se mbështet ligjin për vazhdimin e punës së Prokurorisë Speciale që skadon më 15 shtator, por vetëm nëse ajo i ndërpret akuzat e ngritura pas 31 qershorit, kur i kishte skaduar afati për ngritjen e padive të reja.

Katica Janeva, në postin e prokurores speciale u emërua më 15 shtator 2015, me mbështetje edhe të opozitës. Qëllim kryesor të punës së saj ajo kishte hetimin e aferës së përgjimeve, që ishte publikuar në shkurt të 2015-ës nga lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev, tani kryeministër. Gjatë kësaj periudhe, Prokuroria Speciale ka ngritur 17 padi penale kundër 94 personave. Në mesin e atyre që janë paditur e që janë dënuar është edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski. Ky i fundit nuk e ka vuajtur dënimin me dy vjet burgim për shkak të arratisjes në Hungari, ku edhe ka fituar azilin politik.

Top Channel