Rreth një orë ka zgjatur mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë ku është diskutuar për kandidatët prokurorë që do të bëhen pjesë e Strukturës së Posaçme të AntiKorrupsionit (SPAK).

Relatori Sandër Beci ka prezantuar të gjithë punën voluminoze të KLP-së në përzgjedhjen e prokurorëve që do të hetojnë zyrtarët e lartë të shtetit, si dhe grupet e organizuara kriminale. Ai sqaroi se KLP, në bazë të rregullores, nuk ka pranuar dosjet e prokurorëve që janë në proces hetimor, por vetëm ato që janë mbyllur.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, e cila ka ndjekur nga afër procesin, thotë se nga 28 kandidatë për SPAK tre u skualifikuan pasi nuk kishin punuar asnjëherë si prokuror, një kandidat tjetër është shkarkuar nga vetting-u dhe Shkëlzen Cena u dorëhoq.

Për kandidatët e mbetur në garë do të ketë tre kualifikime në bazë të pikëve.

Gazetarja Hoxha sqaroi se me 8 deri në 10 pikë do të përcaktohen prokurorët me kualifikim të lartë për në SPAK. 5-7 pikë atë me kualifikim të mesëm, si dhe ata me kualifikim të ulët.

“Sapo të jepen pikët, kandidatët që do të përcaktohen me kualifikim të lartë dhe kanë kaluar vetting-un do të bëhen menjëherë pjesë e SPAK, ndërsa ata që nuk e kanë kaluar vetting-un do të pritet përfundimi i procesit”, raportoi Hoxha.

KLP ende nuk ka vendosur nëse SPAK do të ngrihet me 10 prokurorë apo numri do të arrijë në 15.

  Konfirmohen emrat e prokurorëve, këta janë 15 kandidatët për SPAK

Top Channel