Foto ilustruese

Kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediat ka zbuluar çfarë është diskutuar në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste, të mbledhur mëngjesin e sotëm, që u zhvillua për rreth dy orë.

Rama tha para gazetarëve se në mbledhjen e Kryesisë është diskutuar mbi pasqyrën e 30 qershorit, ndërsa shtoi se nuk do ketë ndryshime në qeveri dhe se këto janë fantazi nga temperaturat e larta.

‘Nuk ka ndryshime në qeveri. Janë fantazi që bëhen edhe nga temperaturat e larta’, tha ai.

“Kemi bërë një diskutim mbi gjithë pasqyrën e 30 qershorit. Kemi parë me kujdes çdo qark, çdo bashki, kemi diskutuar për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, ku do të flasim për ç’ka është bërë dhe për ç’ka do të bëjmë në vijim pas pushimeve dhe gjëja më e rëndësishme është që kemi hapur një diskutim për ta çuar në një nivel tjetër organizimin tërësor të PS, në funksion të marrëdhënieve më të hapura, më efektive në çdo komunitet”, tha Rama më tej.

Rama tha se nuk ka nevojë për plane për të eleminuar opozitën, pasi ajo është në kapacitet të plotë për t’u vetëeliminuar.

“Për fat të keq të atyre që ende e besojnë këtë opozitë, nuk ka nevojë për plane për të eleminuar opozitën sepse është në kapacitetet të plotë për tu vetë eliminuar. Procesi vijon në një rrugë që e kanë zgjedhur vetë qorrazi. E rëndësishme për ne është ti qëndrojmë besnik të gjithëve, atyre që na votuan por edhe që s’na votuan. Këto historitë 7*7 bëjnë 42, ia kemi lënë opozitës. PS e kandidatët kanë marrë mbështetje përtej çdo pritshëmërie, dhe mbi këtë bazë kemi nis punën për fitoren e radhës në 2021” u shpreh Rama.

Ndërsa i pyetur nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu se sa i shqetësuar është ai nga fakti se 11 gjyqtarë dhe prokuror që nuk e kanë kaluar vettingun e kanë çuar çështjen në gjykatën e Strasburgut, Rama u shpreh:

” S’kam asnjë shqetësim, është e drejta e tyre. Reforma në Drejtësi është kali i betejës, së kësaj shumice qeverisëse dhe për sa kohë ajo vazhdon të zbatohet në harmoni të plotë me objektivat e bashkëvendosura, me partnerët tanë, SHBA dhe BE të tjerat janë aspekte dytësore të një procesi që ecën dhe që nuk ndalet më”.

Gjithashtu u bë e ditur se asambleja e PS do mbahet në 22 korrik.

Top Channel