Fatura e rëndë e taksave që qytetarët shqiptarë paguajnë për karburantet nuk po shkon më vetëm për të mbushur arkën e shtetit, por edhe në llogari private. Aktualisht qytetarët shqiptarë paguajnë plot 8 taksa mbi çmimin e karburanteve, çka përbën një rast të paprecedentë, jo vetëm në Evropë por edhe në shkallë globale. Por cilat janë taksat që paguhen aktualisht mbi karburantet dhe sa rëndojnë ato në çmimin final?

Në çdo litër naftë që shitet në treg, qeveria shqiptare mbledh 37 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni dhe 7 deri në 10 lekë taksë riliencimi.

Këtyre katër taksave që shkojnë në buxhetin e shtetit u shtohen dy të tjera që paguhen për koncesionarët privatë. Ato janë tarifa e markimit dhe ajo e skanimit, të cilat të dyja bashkë rëndojnë 3 lekë në çdo litër karburant. Por shumë shpejt këtyre dy tarifave private do i shtohet edhe një e tretë. Kjo është tarifë e kontrollit të pompave. Aktualisht kjo tarifë mblidhet nga drejtoria e metrologjisë dhe rëndon 2 lekë për çdo litër karburant. Por tashmë kontrolli i pompave do të jepet me koncesion dhe tarifa që qytetarët paguajnë do të përfundojë në llogari të kompanisë private.

Në fund, mbi katër taksat shtetërore dhe tre private, shtohet edhe tatimi mbi vlerën e shtuar. Tvsh-ja mbi naftën është 20 për qind e çmimit final, ose rreth 30 lekë për litër.  Kjo e çon barrën totale të taksave që qytetarët paguajnë për një litër naftë plot 112 lekë. Pra në një litër naftë, që sot në treg shitet rreth 180 lekë, vlera e produktit është vetëm 68 lekë, ndërsa 112 lekë janë taksa, që qytetarët i paguajnë jo vetëm për qeverinë, por tashmë edhe për koncesionarët privatë. Kjo është dhe arsyeja kryesore se pse Shqipëri është në 10 vendet me çmimin më të lartë të naftës në botë, në vlerë absolute. Ndërsa nëse krahasohet sipas fuqisë blerëse të qytetarëve, Shqipëria është vendi ku karburanti kushton me shtrenjtë se kudo tjetër në planet.

 

Top Channel