Emanuel Macron në Serbi/Vizita pas 2 dekadash e një Presidenti francez, do të firmosen 20 marrëveshje

15/07/2019 21:58

Presidenti i Francës Emmanuel Macron nisi sot vizitën në Beograd me në fokus raportet bilaterale, por edhe Kosovën. Vizita e parë zyrtare e një kreu të shtetit francez në Beograd, pas 18 vitesh, e vendos Macronin në një pozitë delikate. Raportet mes Francës dhe Serbisë janë të ngarkuara shumë në 25 vitet e fundit, në veçanti pas bombardimeve të vitit 1999 dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.

“Franca dhe Serbia do të jenë gjithmonë vende mike, sepse në të gjitha luftërat e mëparshme ato kanë mbajtur anën e njëjtë”, pohoi për DW një prej bashkëbiseduesve francezë, sipas të cilëve Franca dhe Serbia nuk mund të jenë armiq, pavarësisht disa mosmarrëveshjeve të fundit. Një marrëdhënie e tillë megjithatë nuk e pengon Macronin të vazhdojë t’i kundërvihet zgjerimit të Bashkimit Evropian, edhe kur flitet për Serbinë.

Për çdo rast, në Beograd ka shpresa të mëdha nga kjo vizitë, gjatë së cilës dy presidentet do të nënshkruajnë rreth 20 marrëveshje bashkëpunimi në fushën e ekonomisë. (Pesë prej tyre do te jene në fushën e armatimit).

Ministri  i Jashtëm serb, Ivica Daçic, sqaroi se shpreson që Presidenti francez, do të ndërpresë lojën me “taksën” e ka vendosur nga Prishtina ndaj mallrave serbe, e do të japë garanci “se ajo do të përfundojë”.

“Askush nuk mund të më bindë se Europa Perëndimore, në të cilën Franca është një nga udhëheqëset dhe Shtetet e Bashkuara, nuk mund ta detyrojnë Ramush Haradinajn për tetë muaj të heqë një vendim të turpshëm administrativ”, tha Daçic.

Top Channel