Zgjedhjet e 30 qershorit, Bardhi: Edhe kandidate për Këshill edhe mbikëqyrëse e votave. Ndodh në Vaun e Dejës

13/07/2019 15:27

Partia Demokratike përmes sekretarit të Përgjithshëm Gazmend Bardhi, ka denoncuar sot një tjetër skandal që sipas tij ka ndodhur në Vaun e Dejës për zgjedhjet e 30 qershorit.

Bardhi ka bërë publike dokumentet, ku sipas tij vërtetohet se një nga kandidatet e PS-së për këshillin bashkiak ishte edhe anëtare e KZAZ-së që do të mbikëqyrte votimet.

‘Votimet e Vaut te Dejës, te pavlefshme. Shumica për vendimmarrje u sigurua ne shkelje te ligjit nga kandidatja për Këshill Bashkiak, punonjësja e kandidatit te PS, njëkohësisht anëtare e KZAZ. E gjithë farsa e votimeve moniste të 30 Qershorit në Bashkinë e Vaut të Dejës, është e provuar te këtë qenë e shoqëruar në çdo fazë me paligjshmëri. Shkelje flagrante e ligjit është vetë përbërja e KZAZ. Sipas të dhënave zyrtare anëtare e KZAZ ka qenë edhe znj. Listinë Ndoja, e cila rezulton të jetë e punësuar si arkëtare zyre pranë shoqërisë “MARE ADRIATIK” shpk, që ka si ortak të vetëm, kandidatin e PS Mark Babani. Kjo bie ndesh me nenin 32 të Kodit Zgjedhor, që për të shmangur konfliktin e interesit nuk lejon që një anëtar i KZAZ të jetë në marrëdhënie pune me ndonjë nga kandidatët. Por akoma më shumë vetë kjo anëtare ka qenë edhe kandidatë për anëtare të Këshillit Bashkiak. Pra cdo vendim i KZAZ i marrë me votën e kësaj anëtareje është absolutisht i pavlefshëm dhe krejtësisht i paligjshëm. E gjitha kjo paligjshmëri duhet të ndëshkohet. Të gjithë personat përgjegjës duhet të vihen përpara përgjegjësi. Pandëshkueshmëria e krimeve zgjedhore të vitit 2016 dhe 2017, i jep kurajo, të njëjtëve njerëz, që edhe kur vetë kandidojnë, vetë votojnë dhe vetë numërojnë, përsëri të kryejnë paligjshmëri, përsëri të manipulojnë, përsëri të kryejnë krime, sepse ata e dinë shumë mirë sesa kohë Edi Rama është Kryeministër, drejtësia i ka duart e lidhura për të ndëshkuar bandën e organizuar që dhunon themelin e demokracisë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme’, tha Gazmend Bardhi.

Top Channel