Vendimi i dhënë nga CAS-i për lënien në fuqi të vendimit të UEFA-s për pezullimin 10-vjeçar të Skënderbeut nga kompeticionet europiane është mirëpritur nga qeveria e futbollit europian, që me një qëndrim zyrtar e konsideron vendimin konfirmin të besueshmërisë së sistemit që ka ngritur për të luftuar trukimin e ndeshjeve.

“UEFA përshëndet vendimin e CAS-it për të hedhur poshtë ankesën e paraqitur nga KS Skënderbeu kundër vendimit të Organit të Apelit UEFA të datës 26 prill 2018.

CAS konfirmoi vendimin e marrë nga organet disiplinore të UEFA-s për të përjashtuar KS Skënderbeu nga pjesëmarrja në garat e UEFA-s për dhjetë (10) vjet dhe për të gjobitur klubin me 1.000.000 euro për shkak të përfshirjes në aktivitetet që synonin fiksimin e rezultateve të ndeshjeve .

Ky është një konfirmim i mëtejshëm i besueshmërisë së sistemit të zbulimit të mashtrimeve të UEFA-s (BFDS) në identifikimin e modeleve anormale të basteve në ndeshjet që luajnë klubet në nivel evropian dhe vendas.

Me këtë vendim, CAS mbështet përpjekjet për të mbrojtur si garat vendase dhe ato të UEFA-s nga trukimi i ndeshjeve. Vendimi tregon gjithashtu besimin që CAS ka në UEFA BFDS – zhvilluar në bashkëpunim me Sportradar – i cili është një instrument për të ndihmuar në garantimin e integritetit të garave. Raportet e monitorimit të basteve si ato të ofruara nga Sportradar dhe ofruesit e tjerë – si në rastin konkret Starlizard – konfirmohen si mjete të përshtatshme në luftën kundër trukimit të ndeshjeve.

BFDS u krijua në vitin 2009 si përgjigje ndaj kërcënimit në rritje të manipulimit të ndeshjeve si në UEFA ashtu edhe në kampionatet e vendeve europiane. Roli i saj është të nxjerrë në pah lëvizjet e parregullta të basteve, si para ndeshjes ashtu edhe në lojë (live) në tregjet kryesore të basteve, duke monitoruar të gjitha bastet në Europë dhe Azi.

Monitorimi i tregjeve të basteve mbulon të gjitha ndeshjet e kompeticioneve të UEFA-s (rreth 2 000 në sezon) dhe lojëra në dy divizionet më të larta dhe në Kupë në vendet anëtare të UEFA-s (rreth 30 000 ndeshje në sezon). Monitorimi përdor algoritme të sofistikuara dhe modele matematikore për të krahasuar mospërputhjet mes koeficientëve dhe orientimit të basteve në kohë reale, për të përcaktuar nëse bastet e vënë në një minutë të caktuar ose në periudha të dryshme kohore janë të parregullta.”

Top Channel