Rritet buxheti i ndihmës nga SHBA, miliona dollarë shtesë për Kosovën        

12/07/2019 09:00

Shtetet e Bashkuara e kanë rritur buxhetin e ndihmës për Kosovën. Uashingtoni do të japë 34 milionë dollarë shtesë në kuadër të marrëveshjes dypalëshe për bashkëpunim zhvillimor.

Amendamenti në marrëveshjen e dy vendeve është nënshkruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Lisa Magno, drejtoreshë e misionit të Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

“Me këtë amendament, shuma totale e fondeve te parashikuara sipas ujdisë shkon në 198 milionë dollarë amerikanë, ndërsa të gjitha ato do të administrohen nga Agjencia e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e zyrës së Presidentit. Këto para, sipas njoftimit, do të shkojnë në mbështetje të Kosovës për rritjen e qëndrueshmërisë se saj.

Shtetet  e Bashkuara kane investuar në emër të popullit amerikan që prej vitit 1999 mbi 920 milionë dollarë në mbështetje të rrugëtimit të Kosovës drejt vetë-qëndrueshmërisë. Ndërsa investimet totale të Amerikës atje, sipas të dhënave të publikuara në faqen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, mbërrijnë ne rreth 2 miliardë dollarë.

Top Channel