Fiks Fare denoncoi sërish skandalin me matjet e audiencës së televizioneve në Shqipëri, ku kompani “fantazmë” sfidojnë edhe vendimet e gjykatës.

Firma “Telemetrix”, një nga dy kompanitë që mat audiencën me aparatura të pa kontrolluara dhe akredituara nga organet shtetërore, vazhdon të masë audiencën e Top Channel, megjithëse Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apelit urdhëroi pezullimin e matjes. Institucionet shtetërore si AKEP-i apo Autoriteti i Konkurrencës “ngrenë duart”: Nuk i kontrollojmë dot!

Matja e audiencës së televizioneve në Shqipëri është një problem i hershëm. Megjithëse kanë kaluar shumë vite, ende sot e kësaj dite, nuk kemi asnjë institucion shtetëror që të masë sa shihen televizionet shqiptare, kush është i pari, i dyti apo kështu me radhë.

Gjatë kësaj kohe, janë ngritur disa shoqëri private, të cilat pa asnjë bazë ligjore, por edhe të pa kontrolluara nga shteti, ashtu si edhe aparaturat e tyre nuk janë licencuara apo akredituar, kanë matur audiencën e televizioneve që xhirojnë miliona euro paga për punonjës, shpenzime të tjera, apo të ardhurat nga reklama. Askush prej institucioneve shtetërore, si AMA apo AKEP-i, nuk i kontrollon këto shoqëri private.

Pak muaj më parë, emisioni Fiks Fare, investigoi dy kompani “Telemetrix” dhe “Abacus”. Ne shkuam pranë këtyre dy firmave për të parë nëse ishin të licensuara, apo akredituara nga ndonjë organ shtetëror. Asnjëra prej tyre nuk ishte e licensuar apo akredituar. Rezultoi se askush nga institucionet shtetërore nuk i kontrollonte këto shoqëri.

Pas transmetimit të këtij investigimi, Gjykata e Tiranës, vendosi të pezullojë matjen e audiencës nga shoqëria “Telemetrix”. Në dorë kam vendimin e Gjykatës së Apelit të Tiranës, e cila pezullon matjen e audiencës nga shoqëria “Telemetrix”.

Por, çfarë ka ndodhur më tej? Shoqëria “Telemetrix” vazhdon të masë audiencën e televizionit “Top Channel” në kundërshtim me këtë vendim gjykate. Askush prej institucioneve shtetërore, nuk kanë fuqi të veprojnë për këtë kompani.

Vendimi i gjykatës thotë shprehimisht: Sigurimi i padisë duke pezulluar matjen e audiencës televizive nga pala e paditur, shoqëria “Telemetrix” ndaj “Top Channel”. Pra, vendimi është shumë i qartë, ndërkohë që edhe sot e kësaj dite, kjo kompani “Telemtrix” vazhdon të masë audiencën e “Top Channel”. Ndërkohë, sipas disa grafikëve që shoqëria “Telemetrix” u ka çuar klientëve të saj, rezulton se vazhdohet të matet audienca e “Top Channel”. Në këto grafikë, emri i televizionit “Top Channel” është zëvendësuar me “Other Kombëtarë”.

Fiks Fare kontaktoi me administratorin e kompanisë “Telemetrix”, Ivi Rexhepi, i cili e pranoi me zë dhe figurë se “ne masim çdo gjë”. Ai thotë se matja e audiencës bëhet nëpërmjet “audios që jep televizor i panelit tonë, vjen te serveri”. Ndërkohë, pranon se matja e audiencës bëhet vetëm lokale, në disa qytete, pra jo në shtrirje në të gjithë Shqipërinë.

Fiks Fare tentoi që të komunikojë me kompaninë “Telemetrix”. Administratori, z.Ivi Rexhepi, fillimisht pranoi të takojë grupin e Fiks Fare, por më pas u tërhoq. Fiks Fare i dërgoi një kërkesë për informacion, duke e pyetur se përse vazhdon të masë audiencën e “Top Channel”, duke pasur kundër dy vendime gjyqësore.

Madje, i kërkuam se përse u dërgon klientëve raporte të matjes së audiencës, kësaj herë jo me emrin e televizionit, por “Other Kombëtare”. Gjithashtu, i kërkuam kush është “Other Kombëtare”, pasi në Shqipëri janë vetëm tre televizione kombëtare, dy prej të cilëve “Klan” dhe “Vizion Plus”, pasqyrohen në grafikët e “Telemetrix”. “Vendimi “Për sigurim padie” është një vendim provizor, i bazuar në një vështrim sipërfaqësor të rrethanave, të cilin ne e konsiderojmë të gabuar dhe të nxituar nga Gjykata” – thuhet në përgjigjen e saj.

Telemetrix e cilëson vendimin e gjykatës si provizor dhe të gabuar, megjithëse për këtë fakt është shprehur edhe Gjykata e Apelit. Ndërkohë, për terminologjinë “other kombëtare” thotë se: Terminologjia “kombëtare” e përdorur nga Telemetrix nuk është e lidhur me terminologjinë e përdorur nga AMA, por përdoret për t’ju referuar kanaleve shqiptare në përgjithësi. Kategoria “Other_Kombëtare është një kategori e papërcaktuar në të cilën Telemetrix përfshin kanale shqiptare, audio i të cilave nuk identifikohet nga serveri i Telemetrix, me asnjë nga kanalet e listës që ne monitorojmë.

Pas kësaj përgjigjeje, Fiks Fare u interesua pranë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Sipas saj, “Telemetrix” dhe “Abacus” nuk janë të regjistruara në AKEP për ofrim rrjetesh apo shërbimesh të komunikimeve elektronike. “Në lidhje me përmbajtjet e komunikimeve elektronike, sqarojmë që AKEP nuk ka kompetencë për trajtimin e tyre. Lidhur me pajisjet, AKEP nuk i kontrollon këto pajisje” thuhet në përgjigje.

Fiks Fare iu drejtua edhe Autoritetit të Konkurrencës, si organ i cili vepron për të siguruar një konkurrencë të lirë dhe efektive në treg. Autoriteti na ktheu përgjigje se “ju informojmë se Autoriteti i Konkurrencës vlerësoi ankesën tuaj duke kërkuar informacion edhe pranë institucioneve të tjera publike”.

Në fakt, “Fiks Fare” nuk është ankues, por iu drejtua Autoriteti të Konkurrencës për informacion, në bazë të ligjit për “të drejtën e Informimit” dhe “Kushtetutës”. Sipas saj, Autoriteti i Konkurencës tha se i ka dërguar një kërkesë Autoritetit të Mediave Audiovizive. “AMA ka informuar se nuk disponon një listë të shoqërive që ushtrojnë aktivitet në tregun e matjes së shikueshmërisë/audiencës, pasi këto të fundit nuk monitorohen apo kontrollohen nga autoriteti si dhe nuk ka informacion mbi pjesën e tregut të shoqërive që kryejnë matje audience apo fushën e tyre të veprimit, funksionimin e sistemit të matjes së audiencës dhe instrumentet për matjen e audiencës. Procesi matjes nuk rregullohet në mënyrë eksplicite”.

Të gjitha institucionet “ngrenë duart” para këtij skandali, ku kompani fantazmë, me shpenzime minimale, kontrollojnë audiencën e kompanive me mijëra punonjës dhe që qarkullojnë miliona euro paga, investime dhe të ardhura nga reklama. Në fund, Autoriteti i Konkurrencës pohon se “Komisioni i Konkurrencës, shqyrtoi ankesën tuaj dhe konkludoi se ankesa juaj nuk është objekt i nenit 8 dhe 9 të ligjit dhe për pasojë nuk jemi para kushteve të zbatueshmërisë të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.

Në shkelje të ligjit për “të drejtën e informimit” dhe “Kushtetutës”, autoriteti e përcakton sërish Fiks Fare si ankues, kur në fakt, emisioni investigativ vetëm kërkoi informacion. Megjithatë, ky autoritet “mbylli sytë” para fakteve që ne transmetuam se kompania “Telemetrix” po dëmton rëndë konkurrencën për matjen e audiencës!

BISEDË ME IVI REXHEPIN, ADMINISTRATOR I “TELEMETRIX”

Fiksi – Unë dua ta kap te pjesa marketingut. Ore matja e audiencës, ndikon te dhënia e reklamave?

Punonjësi – Nisur duke pyetur sa ndikon matja e audiencës, po folim për shifra shumë të mëdha. Kur jemi te shifrat shumë të mëdha, e kemi dhe më të kollajshme, e dimë cilat janë kanalet më të ndjekura, dihet kush janë kanalet e mëdha, ok? Dimë gjithashtu edhe kush janë oraret që ndiqen më shumë. Madje, madje dimë edhe emisione, që edhe pa pasur nevoja të kemi shifra të mirëfillta audience, dihet që kur jepet Portokallia psh, është një show që ndiqet nga shumë veta. Struktura pak a shumë në këtë sektor është ndarë që janë 2 kryesoret, dy e gjysmë se është dhe Vizioni.

Fiksi- Shiko, ne kemi mësuar që për të bërë matjet duhen vendosur disa aparatura të caktuara.

Punonjësi- Ti do të flasim atëherë për metodologjinë. Si ndërtohet një kompani matjeje. Kjo në vetvete është një sondazh. Sondazh minutë pas minuti. Madje në rastin tonë jo minutë pas minuti, po 3 herë në minutë. Bëhet një studim në terren, përfaqësues kombëtarë në këtë rast, pra një anketë, le të themi në rastin tonë ka filluar me 3000 pyetësorë. Në bazë të këtij studimi, nxjerrim disa indikator që do ndërtohet ky paneli. Pra që të jetë përfaqësuesi, në rastin tonë ishte përbërja familjare. Profili ekonomik është një indikator tjetër. Çfarë të ardhura mujore ka familja. Sa televizorë ka familja, çfarë pajisje për të parë televizor zotëron. Indikatorët shumë të rëndësishëm që ne të tregojmë që paneli jonë është përfaqësues. Në bazë të këtyre kritereve, ne pastaj bëjmë një ndarje. Në rastin tonë nuk bëjmë një matje përfaqësuese për gjithë Shqipërinë. Do ishte shumë e shtrenjtë dhe panel me shumë familje. Për atë nuk ka sens të shesi për shembull ato që reklamon, në zona rurale, sepse nuk ka fuqi ekonomike. Iku 40% . Dhe themi nga këto 60, do marrim qytetet kryesore. Nuk do marrim Lushnjën, do marrim Fierin. Edhe mbetemi te qytetet kryesore edhe këtë ndarje sigurisht që e bëjmë, në bazë të të dhënave që ka INSTAT në këtë rast që lidhen me konsumin. Është diskutuar nga shumë aktorë të tjerë, jo ju keni panel të vogël, Matja e audiencës nuk bëhet për bamirësi. Ok? Pavarësisht ky si sektor është aq cheap, aq i lirë, saqë nuk ka sjell ndonjëherë të ardhura. Thjesht po mbajmë veten.

Fiksi- Pra matja me panelin bëhet më tepër në Tiranë dhe qytetet kryesore apo jo?

Punonjësi- Po.

Fiksi- Tjetra, në mos gaboj, ju vendosni aparate apo jo?

Punonjësi- Pasi vendosëm metodologjinë, edhe vendosëm që do shpërndahet paneli kështu, teknologjia tani. Në rastin konkret është një android box, i riprogramuar, i cili merr edhe mundësinë e një kartë brenda, telefonike. Edhe ky android box lidhet me audio të televizorit. Pse e bëjmë me audio edhe jo me frekuencë. Vjen audio e asaj që ti je duke parë, kalon te pajisja direkt, ajo e dërgon te serveri jonë. Si merret audio? 3 regjistrime me nga 15 sekonda çdo minutë. Edhe ato funksionojnë me logjikën, po e bëj sa më të thjeshtë: 2 plus 1. Pra nëse jemi dy News 24, edhe një Report Tv në mes, atëherë minuti do quhet News 24. Kompanitë e marketingut janë ata klientët tanë kryesorë, që janë të abonuar te paneli jonë, paguajnë abonimin mujor, edhe i kanë ato të dhëna, edhe ato të dhëna ata i rishesin. Matja e audiencës ndikon, ajo në njëfarë mënyre rankon televizorët.

Fiksi- Juve më thatë që masni televizionet kombëtare dhe këto informatikat.

Punonjësi- Jo, jo ne masim çdo gjë. Çdo lloj audio që jep televizor i panelit tonë, vjen te serveri. Ne masim audion, pra çfarë sheh. Luan play station, na vjen si regjistrim, sheh video në you Tube, na vjen, edhe klasifikohet si tjetër. Ne kemi edhe një listë me disa kanale kryesore, për të cilat kemi disa operatorë që punojnë në mënyrë specifike për të dizenjuar eventet. Para se të fillonin reklamat, gjatë reklamave, kur mbaruan reklamat, kështu që unë jam në gjendje të prodhoj raporte ku jap eventin edhe performancën e eventit. Ke listën e kanaleve, që janë vetëm kanalet e mëdhaja që e bëjnë këtë.

Top Channel