Në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnje Hercegovinës, më 8 dhe 9 korrik, u mbajt samiti i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan që iu bashkua lidereve të vendeve të rajonit.

Por pavarësisht vendimit të bërë publik dy ditë më parë, për bojkotimin e samitit, Shqipëria ka qenë e përfaqësuar atje nga presidenti Ilir Meta.

Në një postim në twitter, të dielën, ministri në detyrë për eEvropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, njoftoi se Shqipëria nuk do të merrte pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, organizuar në Bosnje Hercegovinë, në shenjë solidariteti me Kosovën, për shkak të trajtimit që vendi organizator i ka bërë asaj.

Cakaj shkruante në twitter se trajtimi ndaj Kosovës shkon kundër synimit për të krijuar një atmosferë besimi, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe stabilitet dhe se nuk mund të kishte bashkëpunim pa trajtim të barabartë.

Më herët, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kishte njoftuar se ishte ftuar të merrte pjesë në samit me një shënim shpjegues pranë emrit të Kosovës, ndryshe nga shtetet e tjera dhe se ftesën e marrë e kishte refuzuar.

Top Channel