Përballë një kundërshtari të vështirë si Karabaku që ka provuar ngjitjen deri në grupet e Ligës së Kampioneve dhe ka treguar në sezonet e fundit se mund të shkojë sërish në fazat elitare, Partizani synon të bëjë surprizën në turneun më të madh kontinental për klube. Demat e Kuq luajnë të mërkurën në orën 17:30 në stadiumin ‘Selman Stërmasi’ në kryeqytet, ndaj kampionëve të Azerbajxhanit.

“Ne jemi kampionët e Shqipërisë dhe krenarë për këtë. Partizani ka pika të forta por të dobëtat duhet ti kërkojë Karabaku. Rezultatin do ta tregojë fusha por pres një ndeshje pozitive. karabaku është i fortë, ka marrë 6 tituj radhazi dhe ka lojtarë me kualitet”, thotë Franco Lerda, trajner i Partizanit.

Intensiteti i fazës përgatitore në Slloveni ka përmirësuar gjendjen e skuadrës së vetme shqiptare në Ligën e kampioneve, që përkundër shortit të vështirë, do të provojë të prishë balancat që këtë mesjavë ndaj Karabakut. Për azerët që nuk pranojnë të quhen favoritë, edhe barazimi do të ishte pozitiv.

“Do donim të fitonim por edhe një barazim do ishte i mirë për ne. Duam të mbajmë portën të paprekur. Ne nuk e ndjejmë veten favoritë pasi jemi në Ligën e kampioneve dhe këtu ekipet janë të barabarta”, thotë Gurban Gurbanov, trajner i Karabag.

Gurbanov nuk mund t’i shpëtonte dhe interesimit për ish-futbollistin shqiptar të Karabakut, Ansi Agollin.

“Ansi nuk u largua thjesht nga një ekip, por nga një familje. E ndjejmë shumë mungesën e tij, jo thjesht si një lojtar”, u shpreh trajneri.

Ndeshja e kthimit mes Karabakut dhe Partizanit do të zhvillohet në 17 Korrik në Azerbajxhan.

Top Channel